Pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Përmes një postimi në Twitter, kryeministri shkruan se, përpjekja për të ngritur furtunë mbi raportin e OSBE-së është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për Shqipërinë. Sipas Ramës, raporti ka certifikuar zgjedhjet si legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që duhet!
Ndërsa deklaron se zgjedhjet e 2021 nuk janë larg, Rama bën thirrje që të fokusohen te dialogu dhe bashkëpunimi.
“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!
Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë
Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë.”,– shkruan kryeministri Rama.
Veritas.com.al/