Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X” ka reaguar në lidhje darkën e Athinës, ku ftesa nga Mitsotakis mungonte.
Kryeministri grek, organizoi një darkë informale ku ftoi liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE, por jo Ramën.
Në reagimin e tij Rama thotë se Mitsotakis do të jetë i ftuar në samitin e Berlinit që do të organizohet në Tiranë.
Sipas tij Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët.
Reagimi i Ramës:
Kjo është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan apo u çuditën nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes.
Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke nxitur edhe më shumë zhurmë para se miqtë e mi të mirë që u mblodhën në Athinë të përfundonin punën e tyre.
Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të mbajtur një takim me liderë shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen europiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus.
Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.
Shpresoj shumë që takimi të ketë rezultuar produktiv dhe sigurisht, do të kisha preferuar që kjo darkë të mos përdorej për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që diçka e tillë të mos ketë bërë konfuzë miqtë e nderuar.
Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, dhe të marrësh mundimin të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.
Në tetor Shqipëria do të mbajë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë.
Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh.
Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për ta bërë qimen tra.
Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur.
Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Europës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Ajo që është më shumë në rrezik globalisht, është që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.
Here is my answer for all those, in Greece, Albania or elsewhere, who commented in various ways or were perplexed by my absence in Athens, but also for the journalists that asked for my opinion and didn’t get a response before the event. The reason is simple: I did not want to…