Kryeministri Edi Rama përmes një videoje shpjeguese të publikuar në rrjetet sociale, ka sqaruar se si do të funksionojë “Paqja Fiskale”, një nismë në kuadër të projektbuxhetit 2026.

Sipas Ramës, procesi do të realizohet në dy forma. Së pari do të ofrohet një falje për të gjithë sipërmarrjet me detyrime të prapambetura.

Për një periudhë që mund të shtrihet deri në 3 vite, sipërmarrjet mund të lidhin marrëveshje vullnetare me administratën tatimore ku të pranojnë të rrisin me 18% tatimi të fitueshëm krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për çdo shtesë mbi këtë fitim tatimi do të jetë vetëm 5%. Gjatë kohës që është në fuqi marrëveshja e paqes fiskale, sipërmarrjet nuk do ti nënshtrohen kontrolleve tatimore që lidhen me tatimin mbi fitimin. Është një paqe që do të diskutohet në Kuvend dhe jo një paqe thjesht e propozuar thjeshte në program elektoral”, shpjegoi Rama.

Sipas propozimit të përfshirë në projekt-buxhet, parashikohet një fshirje graduale e detyrimeve tatimore të akumuluara ndër vite:

A – Fshirje e plotë e detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave më të hershme se 10 vite të regjistruara në llogaritë tatimore të subjekteve.

B – Fshirje 50% e detyrimeve për periudhat 5-10 vite, nëse shuma e mbetur paguhet njëherësh brenda një afati të përcaktuar së bashku me fshirjen e gjobave dhe të interesave.

C – Fshirje 25% të detyrimeve për të njëjtën periudhë 5-10 nëse shuma paguhen me këste brenda 1 viti së bashku me fshirje të gjobave dhe interesave.

D – Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 1-5 vite me kusht që të paguhet i plotë, tatimi tarifa ose kontributi i të njëjtës periudhë. Do t’i jepet mundësia të gjithë sipërmarrjeve të korrigjojnë pasaktësia në deklarimet e mëparshme në pasqyrat financiare. Për ndryshime mes deklarimit të vjetër dhe të rritur, do të paguhet vetëm 5% tatim mbi fitimin.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *