Kryeministri nuk dha shumë detaje mbi projektin pasi theksoi se vetë kompania po heziton të flasë për shifra.
Sipas Ramës, Shqipëria do të prodhojë një sasi të konsiderueshme nafte dhe gazi, në raportin 60 me 40.
Numri një i Qeverisë gjeti rastin t’u shpjegojë investitorëve holandezë se stabiliteti politik në Shqipëri nuk ka pse t’i shqetësojë ata, pasi vendi i tij është “mikpritës ndaj kompanive të huaja”.
Kryeministri ishte i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ajo e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj.
Ndërkohë, disa muaj më parë në media u tha se zbulimi i një zone nafte në Berat, ka tërhequr kompaninë Shell Oil për të rritur investimet në Shqipëri.
Shell deklaroi se në zonën e Shpiragut ekspertët kanë zbuluar një fushë nafte e cila ka edhe gazin natyror.
“Nga operacionet e kërkimit në Berat, ne kemi pasur sukses pas zbulimit të një fushe të naftës në Shpirag. Megjithatë, ne nuk posedojmë të dhëna për rezervat e naftës dhe gazit natyror në këtë fushë”, u tha asokohe.
Edhe ministrja Balluku ravijëzoi se po pret me padurim rezultatin e eksplorimit të Shell-it.
“Shqipëria do jetë një nga vendet që do të prodhojë një sasi të konsiderueshme nafte dhe gazi”, siguroi ajo.
Lidhur me infrastrukturën, Balluku u shpreh se Shqipëria është një vend që rritet dita e ditës.
“Kemi nisur që të transformojmë sektorin e aviacionit civil. Një prej aeroporteve më të mëdha në rajon ka nisur që të ndërtohet në Vlorë, i cili synon që të jetë ofrojë fluturime nga përtej oqeanit që aktualisht nuk është diçka që behet në rajon”.
Nga ana tjetër, Ibrahimaj tha se Shqipëria ka një kuadër ligjor shumë pozitiv për investimet e huaja e ato strategjiket.
Sipas saj, ka edhe lehtësira fiskale në disa fusha.
“Investimi në Shqipëri dhe pasja e marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë do të nënkuptojë që ju mbërrini në një treg shumë milionësh për shkak të tregut që ne duam të bëjmë përmes ‘Ballkanit të Hapur’”, finalizoi Ibrahimaj fjalën e saj.