Nga Ardit Rada

Maji i këtij viti krahas zgjedhjeve lokale shënon dy-vjetorin e shpalljes së Sali Berishës non-grata nga SHBA-të familjarisht, me gruan, të birin dhe vajzën. Ky hap i aleatit më të madh të botës demokratike u pasua më tej me një vendim të ngjashëm nga Britania e Madhe, po prap për Berishën. Sot, ky dyvjetor e gjen Sali Berishën faktor në zgjedhje, por edhe të pa prekur në shumë aspekte, përveç faktit se vetë i katërti apo veç e veç nuk udhëtojnë dot drejt Amerikës dhe Britanisë.

Qysh në krye të herës, kur Berisha përçau PD-në derisa i vuri flakën selisë, ai ka kërkuar prova nga amerikanët për korrupsionin që ka kryer dhe amerikanët ia kanë faturuar drejtësisë shqiptare t’i faktojë ato. Gjyqtarët e Prokurorët më pas, ende të dyshimtë për lidhjet që mund të kenë me Sali Berishën si bursist i tyre tek ‘Plepat’, kanë heshtur. Ky pasim topi nga Uashingtoni tek drejtësia jonë nuk ka të bëjë me kalim përgjegjësie, por me një fakt të thjeshtë. Që SHBA nuk do dhe nuk ka arsye t’i japë llogari publike Sali Berishës nëse e kanë përgjuar, apo nëse kanë ndonjë dëshmitar që e ka kallëzuar me fakte në Amerikë, e kështu me radhë.

Në këtë dyvjetor, akuzat e amerikanëve si përfitues nga korrupsioni, Berisha i provon vetë më shumë se kurrë. Për herë të parë ndodhet në krye të një force politike, por pa parti. Ka një seli të pushtuar në zonën më të lakmuar të kryeqytetit, por s’ka vulë. Ka militantë, por jo mbështetës e kështu me radhë. Dhe pikërisht sot që KQZ nuk i dha kokërr leku, pas 4 vitesh pa asnjë këshilltar bashkiak, pas dy-tre vitesh me mandate të djeguar dhe pas 10 vitesh në opozitë, Berisha financon një fushatë nga veriu në jug. Tek pullë, veç të dalë ai në televizor 3 herë në ditë. Dhe kjo histori ka nisur që në maj 2021, për interesin e tij personal e vijon në të njëjtin stil në kuadër të fushatës për 14 Majin. Domethënë Sali Berisha ka bërë qindra takime në çdo cep pa prerë një faturë, kur antikorrupsioni duhet të të kryqëzojë edhe për karburantin e makinës vetjake.

Mbrëmjen e kësaj të enjte, Gabriel Escobar ktheu shumë përgjigje për Sali Berishën në një televizion kombëtar. Së pari, i preu krahët se edhe nëse fiton zgjedhjet, ‘non-grata’ nuk i hiqet. E jo më nga ai avokati ekselent francez që shpiku në 2021 dhe nuk foli më kurrë për të dhe padinë në Paris.

Së dyti, Escobar e bëri të qartë se ambasadorja Juri Kim është vënë në shënjestër të sulmeve me karakter personal nga Sali Berisha dhe sovranisti Ilir Meta, që e hoqi i pari vallen ndaj imperialistëve SHBA-BE. Që kur deklaroi se i këndonin pushkët te kulla e Lalzit kundër fregatave amerikane.

Së treti, Escobar erdhi sërish tek drejtësia shqiptare, atë që çdo amerikani i ka rënë goja këto dy vite: Ne ju kemi financuar reformën në drejtësi dhe ju japim indicie, pikërisht që t’i hetoni ju këto raste.

Sot Sali Berisha jo vetëm që e quan turp pse fondi i KQZ iu dha llogarisë bankare të subjektit: Partia Demokratike e Shqipërisë. Por edhe tallet me shqiptarët duke u shprehur se fushatën po ia financojnë vullnetarët e ‘Foltores’.

Është fakt se PD kryesisht nën drejtimin e Sali Berishës s’ka bërë kurrë transparencë financiare sipas ligjeve të shtetit shqiptar. Madje ka qenë iniciatorja e çdo informaliteti që shoqëria e vuan prej së paku vitit 1994. Të pretendosh pastaj, që ta bëjë transparencë për SHBA-në është luks i madh.

Por të paktën ia arritëm ditës të shohim Berishën që bën thirrje të mos votohet Partia Demokratike! Kjo është faza e parë e rrënimit, por fjalën e fundit e ka drejtësia jonë që duhet të nisë ndonjë hetim apo t’i kthejë ndonjë përgjigje Uashingtonit që kërkon që non-gratat të hetohen këtu. Dhe bën mirë të nxitojë, pa u penduar amerikanët për mbështetjen dhe miliardat që po hedhin. Sepse bën vaki që paratë e korrupsionit që e akuzon Amerika, të shpjegojnë lekët e fushatës 2-vjeçare personale.