“Negociatat, çështje e brendshme politike e BE”, tha Rama
Takimet në Berlin i konsideroi pozitive për negociatat. Por rezultatet do të mësohen më vonë.
Në një intervistë për Tv Klan, Kryeministri Rama thotë se të gjitha vendet anëtare kanë një debat të brendshëm që nuk lidhet me vlerësimin teknik që mori Komisioni pro këtij procesi.
“Këtë do ta marrim vesh më 18 Tetor, edhe pse jemi në fund të rrugës, por është ende shumë e gjatë rruga deri më 18 Tetor pasi ka shumë vendime për të marrë”.
Kryeministri zbulon se ka vendosur të shfaqë një profil krejtësisht tjetër në publik. Thotë se nuk do të komentojë më asnjë deklaratë të krerëve të institucioneve apo kundërshtarëve politik, të cilët i etiketon thjesht si “të tjerët”. Në fundin e vitit të dytë të mandatit të dytë, shprehet se fokus do të jenë vetëm qytetarët.
“Do të dëgjoni gjithmonë më pak nga unë fjalë lidhur me të tjerët dhe nuk më interesojnë sepse është kohë e humbur, është energji e shpenzuar për kot”.
Për opozitën thotë se është i gatshëm të diskutojnë për çdo temë, por i kujton asaj se zgjedhjet e radhës janë në 2021.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë edhe të ndërveprojmë me të gjithë, qoftë me opozitën në Parlament, qoftë me opozitën jashtë Parlamentit, jo vetëm për reformën zgjedhore, por për çdo aspekt të jetës së vendit që kërkon vëmendje dhe ku ka gjithmonë vend për zhvillim”.
Nuk pranon t’u përgjigjet asnjërës prej akuzave të Presidentit, por thotë se nismës për shkarkimin e tij Kuvendi do t’i shkojë deri në fund.
“Kjo shumicë qeverisëse nuk është krijuar për të bërë presione ndaj askujt. Procesi në fjalë është një proces që tashmë është në duart e Parlamentit dhe i takon Parlamentit ta çojë deri në fund”.
Valdrin Pjetrin e quan gënjeshtar, por jo kriminel dhe thotë se deri tani shumica nuk ka asnjë zgjidhje për situatën në Bashkinë e Shkodrës. (Tv Klan).
Veritas.com.al/