
TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetin social “X” ndaj një deklarate të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pretendon se Rama ka mbajtur qëndrim pro ngritjes së Gjykatës Speciale për Kosovën.
Rama theksoi se nuk është në “asnjë lloj gare” me Vetëvendosjen dhe kritikoi partinë në pushtet në Kosovë.
Sipas Ramës, Kurti “ngatërron e marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”.
Ai deklaroi se e ka denoncuar vazhdimisht, “farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve”, dhe se ndryshe nga Vetëvendosje, që dikur “nuk njihte as himnin e Kosovës”, ai ka mbështetur pafajësinë e ish-presidentit Thaçi.
Sipas Ramës, Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.
Shefi i qeverisë theksoi se të premten do të marrë pjesë në tubimin gjithëkombëtar për ish-krerët e UÇK-së, por jo si folës.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.
Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.
Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama.
Komente