Ndeshja e së dielës Shqipëri- Francë la hapësirë për të folur jo vetëm për ndeshjen por shumë më tepër. Stadiumi, tifozët, himni francez,reagimet dhe në fund sigurisht rezultati.

Megjithatë si rrallë herë më parë u vu re një interes tepër i lartë i mediave franceze e pikërisht një prej gazetarëve, Antoine Grognet i Radio France Internacional u ndal të përshkruajë vizitën e tij në Tiranë dhe atmosferën që gjeti në kryeqytet.

“Është një stadium i ri kuq e zi, me të vërtet fantastik dhe ishte kënaqësi të uleshe për të ndjekur ndeshjen. Stadiume të tilla e rrisin nivelin e futbollit në Shqipëri. Nuk kisha qenë më parë këtu  dhe përfitova nga koha e lirë të shëtisja nëpër Tirane ndaj mendoj realisht që është një qytet shumë i bukur dhe jam i sigurt që do kthehem përsëri’’, ka thënë Antoine Grognet – Gazetar i RFI.

Një nga momentet që tërhoqi jo pak vëmendjen e të gjithëve ishte ai i himnit francez ku mesa duket gazetarët e kanë pasur të paqartë arsyen e fishkëllimave.

“Në fillim mendova se himni u fishkëllye duke qenë se ne në ndeshjen e parë ngatërruam himnin tuaj, por  këtu dëgjova që ndodhi për shkak se presidenti Francës ishte kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë në BE kështu që ju kërkojmë falje sepse tani e kuptoj’’, shprehet Grognet.

Veritas.com.al/