Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun e Peqinit. Një i burgosur ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur me armë zjarri pas të shtënave brenda burgut. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë njoftimin paraprak duke thënë se për shkak të një konflikti mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku është qëlluar edhe me armë zjarri, kanë mbetur të plagosur dy prej tyre, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë.
Mësohet se Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur në korrik 2015 në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, ka qëlluar më armë zjarri pistoletë të dënuarin Arben Lleshi, i cili ka ndërruar jetë, ndërsa ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja.
Në vendngjarje janë Prokurori i Elbasanit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Forcat RENEA. Situata është tërësisht nën kontroll, autori është izoluar dhe po hetohet ngjarja. Hetimin e ka marrë në dorë Prokuroria e Elbasanit!
Paraditen e së premtes u njoftua se Mjacaj është izoluar në regjimin e rreptë 41 bis. Lajmin e ka njoftuar vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili thotë se Mjaçaj ka cenuar sigurinë në burgun e Peqinit, por pa dhënë më shumë detaje.
“Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cenojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!”, tha Manja.
Sokol Mjacaj është dënuar për vrasjen e dy turistëve çekë, në korrik të këtij viti në segmentin Dukagjin-Shkodër. Ai u arrestua pak ditë pas krimit. Ndaj tij, rëndojnë akuzat për “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Ai ka mohuar se ka pasur qëllim që t’i vriste turistët, por vetëm t’i grabiste për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhej.