Referendumi për ndryshime kushtetuese i mbajtur dje në Turqi nuk i ka plotësuar standardet e vëna nga Këshilli i Evropës, ka thënë sot kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Cezar Florin Preda, i cili e ka mbikëqyrur referendumin.

Ai ka thënë se korniza ligjore e referendumit ka qenë joadekuate dhe ka pasur ndryshime të vonshme në numërimin e fletëvotimeve, transmeton Express.

Turqit dje votuan 51.4 për qind në favor të ndryshimeve kushtetuese, duke ia dhuruar kështu presidentit Recep Tayyip Erdogan një pushtet të ri gjithëpërfshirës.

Por, partia kryesore opozitare në vend ka kërkuar që rezultati i referendumit të anulohet, duke thënë se votimi u prish nga parregullsitë.

Preda ka thënë se referendumi nuk ka arritur t’i plotësojë standardet ndërkombëtare.

Bordi i Lartë Elektoral i Turqisë mori një vendim në minutën e fundit dje për t’i numëruar edhe fletëvotimet që nuk ishin vulosur nga zyrtarët.

Turqia është anëtare e Këshillit të Evropës.

/Veritas.com.al/