Kolegji Zgjedhor shqyrton sot kërkesën e Idajet Beqirit, kreut të Partisë Uniteti Kombëtar i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ, i cili rrëzoi kërkesën e tij për çregjistrim nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Në seancën gjyqësore, para trupës gjykuese që përbëhet nga Tomor Skreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa, Beqiri tha se nuk e pranon 30 qershorin në kushtet e krizës politike duke kërkuar çregjistrimin.

“Nuk pranoj 30 qershorin në kushtet e krizës politike. Ishim të bindur se në 30 qershor do bëheshin zgjedhje. U kapëm në befasi nga Dekreti i presidentit. Kërkojmë çregjistrim nga zgjedhjet. Kolegji duhet ta zgjidhe këtë ngërç të krijuar”, deklaroi Beqiri.

Sipas tij, vendimi i KQZ që nuk e çregjistroi Partinë Uniteti Kombëtar në koalicion me socialistët është i pavlefshëm.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i KQZ tha se ky institucion i qëndron vendimit që ka dhënë për PUK.

“Dekreti i presidentit është në shkelje të Kushtetutës. Dekreti është akt administrativ i pavlefshëm”, ka thënë përfaqësuesi i KQZ.

Nëse pesë gjyqtarët do të pranojnë kërkesën e Beqirit, duke urdhëruar KQZ ta çregjistrojë Partinë Uniteti Kombëtar nga zgjedhjet, atëherë pranohet ligjshmëria e dekretit të Presidentit dhe 30 qershori rrëzohet.

Në të kundërt, situata do të vijojë të mbetet e njëjtë, socialistët do të tentojnë të zhvillojnë zgjedhje, sikurse kanë këmbëngulur prej mëngjesit të 10 qershorit, kur Ilir Meta, shfuqizoi datën e dekretuar më herët prej tij.

Veritas.cocm.al/