Nga: David Brooks/ The New York Times

-Lëvizja anti- Trump vuan nga vulgariteti dhe mendje- ngushtësia-

Po e nis me tre vëzhgime të sikletshme, bazuar në duzina biseda nëpër Washington gjatë vitit të kaluar:

Së pari, ata që shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe takojnë Presidentin Trump zakonisht largohen të befasuar këndshëm. Ata zbulojnë se Trump nuk është i çmenduri i furishëm që prisnin për shkak të postimeve në Twitter apo nga mbulimi i medias. Përgjithësisht thonë se ai është njeri i dashur. Kryen takime normale, pozitive dhe duket i mirinformuar për të biseduar.

Së dyti, ata që punojnë në administratën e Trumpit kanë pikëpamje gjerësisht të ndryshme për shefin e madh. Disa mendojnë se ai është një kalama i marrë, siç raportonte Michael Wolff. Por disa mendojnë  se ai është një shpërqendrim rreth të cilit mund të punohet. Të tjerë mendojnë se është i çuditshëm, por jo i pamundur. Disa e admirojnë vërtet Trumpin. Shumë të tjerë e filtrojnë çmendurinë dhe pretendojnë se nuk ekziston.

Përshtypja ime është se administrata Trump është një vend jo i lumtur për të punuar, sepse ka shumë luftë të brendshme dhe shpesh nuk ka drejtim nga maja. Por kjo nuk është një administratë plot me njerëz që mezi presin për të futur në fuqi Amendamentin 25 (Amendamenti i Kushtetutës së SHBA për zëvendësimin e Presidentit ).

Së treti, Shtëpia e Bardhë po bëhet më profesioniste. Imagjinoni sikur Trump të mos postonte në Twitter. Çmenduria e javëve të fundit do të largohej dhe do të shihnim një Shtëpi të Bardhë që ecën me shpejtësi drejt objektivave: Ndryshimi në politikën tonë me Pakistanin, ndryshimi në politikën e shpimit në det, realizimi i politikës për ISIS, emërimet e gjykata dhe formimi i poltikave për infrastrukturën, DACA-n, Korenë e Veriut dhe tregtinë.

Duket sikur janë dy Shtëpi të Bardha. Është Shtëpia e Bardhë Fasadë mbi të cilën synojmë të fokusohemi: Trump i irrituar para televizorit, avokatët që merren me hetimin rus dhe shtupin. Pastaj është edhe Shtëpia e Bardhë e Padukshme për të cilën nuk ke dëgjuar kurrë, e cila po bëhet më efektive në menaxhim rreth shefit të shpërqendruar.

Shpeshherë vras mendjen nëse Shtëpia e Bardhë e Padukshme ka mësuar të përdorë Fasadën për të na  dribluar teksa ndryshon vendin.

I përmenda këto observime të sikletshme për shkak se lëvizja anti-Trump, anëtar krenar i së cilës jam edhe unë, duket se po trashet. Duket se po përshtatet me një version të vetëkënaqur përrallash të realitetit që filtron informacionin e vrazhdë. Shumë njerëz anti-Trump duket se po i tregojnë vetes historinë e “Çmendurisë së Mbretit George”: Trump është një i marrë gjysmë-analfabet i rrethuar nga lajkatarë që janë moralisht, intelektualisht dhe psikologjikisht inferiorë karshi njerëzve si ne.

Do të doja të mendoja se është e mundur të jesh anti-Trump i zjarrte po e reduktuar gjithçka në një përrallë.

Lëvizja anti-Trump po vuan nga mendje-ngushtësia. Shumica e njerëzve që përbuzin Trumpin nuk njohin ndonjë që punon me të apo që e përkrah atë. Dhe nëse kanë miq apo familjarë që admirojnë Trumpin, janë mësuar të mos bisedojnë rreth kësaj teme. Kështu që shumicën e informacionit rreth Trumpismit e marrin nga të tjerë që gjithashtu e përbuzin Trumpism, çka është gjithmonë një recetë për një përmbyllje epistemike.

Lëvizja vuan edhe nga vulgariteti. Fox News është pionier i vulgaritetit modern. Vulgariteti modern injoron standardet normale gazetareske apo intelektuale (mendoni Sean Hannity apo Dinesh D’Souza). Ai krijon një stil komunikimi që nuk të nxit të mendosh më tepër, të bën të mendosh e të vëzhgosh më pak. Të ofron një dietë të qëndrueshme afirmimi, përqendrohet në tema të thjeshta që kërkojnë pak informacion në sfond dhe i bën shikuesit të kenë varësi ndaj dozave të përditshme të inatit dhe justifikimit.

Edhe ne anti-Trumpët kemi vulgaritetin tonë, kryesisht në orët e vona televizive. Por vulgariteti anti-Trump shpërtheu në lulëzim të plotë me librin e Wolffit.

Wolff nuk pretendon aderimin në standardet normale gazetareske. Ai pranon me kënaqësi se thjesht hedh rreth e rrotull thashetheme që janë tepër të bukura për t’u verifikuar. Siç shkruan Charlie Warzel në BuzzFeed, “për librin e Wolffit, e vërteta duket pothuajse një preokupim dytësor për atë që ka vërtet rëndësi: angazhimin”.

Testi final i vulgaritetit nuk është nëse të sfidon, të mëson apo kap konturet e realitetit; është ndjesia e brendshme që ke për ta shpërndarë në median sociale.

Në çdo luftë, vendet bëhen të ngjashme me armiqtë e tyre, kështu që supozoj se është normale që lëvizja anti-Trump të fitojë ngjashmëri me lëvizjen pro-Trump. Por nuk është e mirë. Kam vënë re shumë të rinj që sohin histerinë e përditshme monotone të anti-Trumpëve dhe iu duket budallallëk.

Kjo nuk është thjesht luftë për një president. Është luftë për rregullat sipas të cilëve do të na duhet të luajmë pas Trumpit. A do të zbresim në mënyrë permanente në standardet e Trumpit për sjelljen e pranueshme?

Apo do të rivendosim dallimin midis ekselencës dhe mediokritetit, të vërtetës dhe gënjeshtrës? Do të insistojmë në diferencën midis një eskperti të vërtetë dhe një mendjemadhi të keqinformuar? Do të rivendosim dallimin midis atyre institucioneve si Zyra Kongresionale e Buxhetit që operojnë me standarde profesionale dhe flasin me autoritet legjitim dhe mullinjve me erë të propagandës?

Në çdo sferë ka hierarki ekselence. Ka një diferencë të madhe misi William F. Buckley e Sean Hannity, midis reporterëve në gazetë dhe zhurmuesve. Pjesë e kësaj lufta është ruajtja e këtyre dallimeve, jo kontribuimi për zhdukjen e tyre. (Përgatiti; Syri.net)