Reshjet e borës gjatë natës deri sot në mëngjes kanë prurë një gjendje akoma më të vështirë për vendin. Trashësia e borës shënon nga 20 centimetra deri 1 metër.
Lajme ka nga gjithë vendi, që nga fshatrat e thella malore e deri në autostradën më të re “Rrugë e Kombit”.
Në Pukë bora ka paralizuar qarkullimin në gjithë fshatrat por edhe në akset nacionale.
Edhe qarku i Dibrës është i bllokuar në rrugët e fshatrave dhe trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Procesi mësimor është pezulluar. Aksi nacional është i kalueshëm pa zinxhirë ndërsa të gjitha akset e tjera mund të kalohen vetëm me zinxhirë.
Edhe në qarkun e Korçës raportohen problematika në qarkullimin e automjeteve. Trashësia e dëborës në zonat malore shkon në 90 cm, ndërsa në qytet në 30 centimetra. Te izoluar mbeten shumë fshatra. Energjia elektrike mungon që nga mbrëmja e djeshme në Vithkuq , Lekas, Moglice, Panarit, Podgorie, Vreshtas, Sheqeras, Shëngjergj, Dardhas.
Në Kukës trashësia e dëborës arrin mbi 50 centimetër. Kjo situatë gjithashtu është shoqëruar edhe me mungesë të furnizimit me energji elektrike.
Në Mirditë është ndërprerë mësimi në te gjitha shkollat dhe Rruga e Kombit ka prezencë të dëborës, por pa penguar lëvizjen e mjeteve. Gjithashtu situata raportohet më e qetë në Kurbin. Reshje dëbore me intensitet të lartë ka patur në zonën e Gallate. Rrugët janë të gjitha të kalueshme në Lezhë dhe procesi mësimor vijon pa ndërprerje.
Shkollat në Librazhd dhe Përrenjas janë të mbyllura. Aksi i rrugës nacionale dhe të gjitha rrugët rurale janë te kalueshme, ndërsa procesi mësimor vazhdon normalisht. Zonat e thella nuk kanë probleme me energjinë elektrike.
Ndonëse qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshjet e borës, të gjitha rrugët kombëtare janë hapur.
Sot në mëngjes në aksin Shkodër-Shiroke-Zogaj, autobusi që bën këtë linjë me transport qytetarësh është rrëzuar në anën tjetër të rrugës, si pasojë e borës dhe ngricave. Por nuk njoftohet për të dëmtuar.
Kryeministri Rama njofton se strukturat shtetërore ndodhen të gjitha të angazhuara për të përballuar vështirësitë e motit. Ai shkruan:
“MIRËMËNGJES. dhe me këto pamje të angazhimit maksimal të të gjithë strukturave shtetërore për të qenë pranë njerëzve dhe lehtësuar situatën e vështirë të krijuar nga reshjet e dendura të dëborës duke garantuar të gjitha shërbimet dhe sigurinë e jetës, ju uroj një ditë të mbarë🤝”, shkruan Rama.
Veritas.com.al/