Nuk ka më vetëm një rajon në flakë, pasi në të gjithë vendin janë raportuar vatra zjarresh. Parku Kombëtar i Llogarasë nuk është prekur ende, por mbetet mjaft i rrezikuar, ndërsa Voskopoja u përfshi dje pasdite nga flakët. Tre helikopterë ishin aktiv në shuarjen e zjarreve nga jugu në veri, por situata ende mbetet e rëndë.
Nga Fernada Cenko
Shqipëria është vënë në pushtetin e zjarrit. Përveç zonave me pyje e kullota, në rrezik janë edhe dy zona turistike siç është ajo e Llogarasë që ende nuk është përfshirë nga zjarret, por që rrezikon të preket si edhe ajo e Vosokopojës, e cila në orët e pasdites së djeshme është vënë re nga banorët re të mëdha tymi. Një zjarr masiv ka përfshirë pyjet me pisha në Voskopojë, në zonën midis Krushovës dhe Shipskës. Zjarri është aktiv prej disa orësh dhe ka përhapje të madhe. Ende nuk dihet sipërfaqja që është duke u djegur. Në zonë kanë shkuar zjarrfikëse dhe punonjës shërbimi. Ndërkohë mësohet se drejt vendit është nisur edhe Ministri Niko Peleshi dhe një helikopter për shuarjen e flakëve. Me rritjen e temperaturave të ajrit dhe dashakeqësisë së piromanëve, zjarri përhapet më lehtësisht. Përveç vatrës në zonën e Dukatit, ku po monitorohet më me seriozitet nga autoritet për shkak se duan të shmangin pikën turistike të Parkut Kombëtar të Llogarasë, situata po e njëjtë vërehet edhe në veri të vendit.
Situata në Veri
Një tjetër vatër serioze është ajo në fshatin Thirrë, në qarkun e Lezhës, ku puna vijon për vënien nën kontroll nga ana e FA, punonjësve të shërbimeve vendore, por edhe me ndërhyrje nga ajri. Një zjarr i madh ka përfshirë edhe zonën e Lalmit në Lezhë. Flakët po rrezikojnë fshatin, pasi era favorizon përhapjen e tyre, ndaj kërkohet ndërhyrja nga ajri me helikopter. Vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit. Është vënë nën kontroll vatra në zonën e quajtur Laku i Thive. Puna vijon edhe në pjesën që ndodhet në fshatin Munellë-Domgjon, në Mirditë, ku ka situatë aktive. Janë raportuar edhe disa vatra të reja, njëra në fshatin Patalej në Lezhë, një tjetër vatër në Gjallicë në Kukës me përmasa të vogla. Nën monitorim janë zjarret e rëna në fshatin Vermosh në Malësi të Madhe dhe në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës. Këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Situata në Jug
Vatra të reja zjarri janë identifikuar nga banorët dhe më pas nga ndërhyrja e policisë dhe e Forcave të Armatosura në fshatin Cakran të Fierit, e cila ishte shuar 10 ditë më parë nga FA dhe është riaktivizuar. Si pasojë e përkeqësimit të gjendjes dhe përmasave që po marrin flakët kanë shkuar në ndihmë edhe 40 efektivë të FA. Flakët janë të shumta duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha. Për shuarjen e flakëve po punojnë zjarrfikësja e Fierit dhe ajo e Patosit. Rreth 150 metra larg flakëve ndodhen edhe 2 banesa, ndërsa forcat zjarrfikësit po mundohen t’i mbajnë flakët nën kontroll që të mos u afrohen. Edhe në Gjorgos vijon që zjarri të jetë aktiv, ndërsa aktualisht po punohet vetëm nga toka. Një tjetër vatër është aktivizuar në Fier pranë fshatit Zhupan dhe Radostinë. Zjarri po djeg ullishte dhe shkurre në një zonë kodrinore të zonës, ndërsa flakët nuk janë vënë ende në kontroll. Zjarri ka rënë shumë pranë banesave të Radostinës. Deri tani janë djegur shumë hektar ullinj. Dëmi ekonomik i banorëve është i madh duke qenë se në këtë zonë kanë mbjellë ulishte. Zjarri në fshatin Corrush në Mallakastër vijon të përhapet në zona me terren të vështirë. Por pavarësisht kësaj puna vazhdon nga autoritetet përkatëse. Fatmirësisht nuk ka banesa që rrezikohen nga flakët, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e tyre. Gjithashtu edhe fshati Gorishtë në Selenicë është përfshirë nga flakët ditën e djeshme duke bërë që të digjen ullishtet dhe sipërfaqe të tëra toke. Flakët janë përhapur me shpejtësi pranë puseve të naftës dhe se vatra është aktive. Edhe në fshatin Vadhizë në Fier ka rënë zjarr. Ndërhyrja e forcave të policisë dhe të zjarrfikëses duke përdorur edhe mjete rrethanore kanë bërë të mundur eleminimin e zjarrit nga banesat. Zjarri po vijon në drejtim të pyllit dhe forcat e Policisë dhe zjarrfikëses po punojnë për vënien në kontroll dhe shuarjen e zjarrit./Fjala/