Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës dhe mbylljes zyrtare të procesit zgjedhor, kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh falënderues në grupet e strukturave socialiste, duke falënderuar të gjithë kandidatët e mazhorancës.

Në mesazhin e siguruar nga A2 CNN, Rama e cilëson këtë betejë politike si një eksperiencë të paharrueshme dhe falënderon të gjithë anëtarët e PS-së për angazhimin e tyre. “Rezultati i përbashkët do të mbetet në historinë politike të Shqipërisë, si një sukses krejt i veçantë”, shkruan ai.

Kryeministri përgëzon veçanërisht ata që dhanë gjithçka në terren, duke e quajtur kontributin e tyre një forcë të shtuar për Partinë Socialiste në çdo cep të vendit. Ai uron me zemër të gjithë ata që kanë fituar mandate në legjislaturën e re, ndërsa për kandidatët që nuk arritën të sigurojnë një vend në Kuvend, Rama shpreh mirënjohjen për përkushtimin e tyre dhe nënvizon se kontributi i tyre mbetet thelbësor për sfidat që vijnë, shkruan A2 CNN.

“Duhet të jenë jo vetëm krenarë për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e PS-së, por edhe të bindur se kontributi i tyre do të jetë i nevojshëm në rrugën e integrimit europian”, thekson ai.

Në fund, Rama jep mesazhin se në këtë proces nuk ka të humbur: “Këtu nuk ka humbës, por vetëm fitues!” Ai uron që çdo anëtar i PS-së të gjejë pak kohë për të pushuar pranë familjes, duke e mbyllur me premtimin për një mbledhje të përbashkët në të ardhmen, “jo për një festë të madhe, por për shijen e një gëzimi të merituar familjar”.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *