Disa ditë pas rihapjes së garës për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një postimi në Facebook motivon gra dhe burra me gamë të gjerë prejardhjesh profesionale për të aplikuar.

Sipas Ambasadës, aplikantët duhet të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI. Më herët, pjesë e BKH janë bërë 29 hetues, të cilët kanë filluar punën, por për duhen edhe 31 të tjerë për të plotësuar numrin e plotë të tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar elitare luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, motivon edhe të gjithë aplikantët që aplikuan në raundin e parë, të cilët sipas saj, mund të riaplikojnë sërish për të qenë pjesë e garës. Që prej fillimit të reformës në drejtësi, SHBA ka asistuar, sidomos në ngritjen e institucioneve të reja, SPAK dhe BKH.

“Keni ëndërruar gjithnjë të bëheni si një nga agjentët e FBI-së? A mendoni se keni atë që duhet? Tani është mundësia juaj! Byroja Kombëtare e Hetimeve ka hapur një tjetër thirrje aplikimesh për hetues. BKH-ja po kërkon gra dhe burra nga një gamë e gjerë prejardhjesh profesionale, të cilët mund të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI ? Bashkohuni me këtë skuadër elitare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Nëse keni aplikuar në raundin e parë, aplikoni përsëri! Përvoja juaj, aftësia për t’u përmirësuar dhe dëshira për të shërbyer vetëm do t’ju ndihmojnë. Aplikoni tani”, shkruan Ambasada e SHBA-së.

Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së, në njoftimin e këtij të fundit për rihapjen e garës, cilësohet si proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet. Ata që janë të suksesshëm në procesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet Prokurorët e Prokurorisë së Posaçëm të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.