Janë rikthyer në normalitet të plotë shërbimet publike në e-Albania.

Kështu ka bërë me dije Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në një njoftim për mediat të premten e 12 gushtit.

Ajo shkruan se pas thuajse katër javësh kundërveprimi intensive ndaj agresionit kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.

Aktualisht, 1 mijë e 224 nga 1 mijë e 225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.

Tashmë platforma e-Albania aksesohet dhe nga jashtë territorit të Republikës Shqipërisë dhe mund të aplikohet për 36 shërbimet konsullore.

AKSHI njofton se stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimin e fundit të mbetur: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja.

Në njoftim shprehet mirënjohja e institucionit për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën e ofruar gjatë gjithë këtyre ditëve.