Fshati Truall i Surroit, që lindi nga ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës rrezikon të rikthehet në izolim një dekadë më pas nga tarifa e kripur koncesionare që u kërkohet banorëve të varfër për çdo udhëtim drejt Kukësit.
Nga: Bashkim Shala/ BIRN
Tre ditë pas lirimit nga burgu i Vaqarrit, Shkëlqim Vata pret e përcjell të afërm në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Truall të Surroit në bashkinë e Kukësit- vetëm 2.5 kilometra larg stacionit të djegur të pagesave të kompanisë koncesionare në autostradën Milot-Morinë.
Babai i gjashtë fëmijëve qëndroi 20 ditë në qeli, i akuzuar për shkatërrim prone gjatë protestës së 31 marsit dhe pas vendimit të lirimit nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, po përpiqet të fitojë kohën e humbur me punët e prapambetura në bujqësi.
Familja prej tetë anëtarësh e Vatës nuk ka asnjë person të punësuar dhe mbijeton me ndihmë ekonomike prej 5800 lekësh në muaj. Hyrja në fuqi e tarifës 10 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Kukës e irritoi kryefamiljarin, i cili njësoj si fqinjët e tij iu bashkuan protestës së 31 marsit.
“Arsyeja e protestës ishte taksa e papërballueshme për ekonominë tonë familjare, madje e paimagjinueshme,” thotë prerazi Shkëlqim Vata për BIRN.
“Kjo është rruga që na ka nxjerrë nga izolimi. Më parë bënim 45 kilometra për të shkuar në Kukës, ndërsa tani shkojmë për 7-10 minuta. Vendosja e traut na izoloi sërish dhe thuajse kaluam në depresion,” shton ai.
Lagjia Truall e zonës së Surroit, e shtrirë në verilindje të autostradës Milot-Kukës dhe e njohur historikisht si vend ku barinjtë ndërtonin stanet e bagëtive të imëta, nisi të popullohej pas viteve ’90 dhe sot numëron rreth 15 shtëpi. Për thuajse dy dekada kjo ishte një ndër zonat më të izoluara në Shqipëri, pasi banorëve u duhej të përshkruanin 45 kilometra rrugë për të mbërritur në qytetin e Kukësit.
Kantieri për ndërtimin e autostradës dhe përfundimi i saj në vitin 2009 gjallëroi jetën e banorëve të varfër dhe e nxori fshatin nga izolimi duke e lidhur me Kukësin për 10 minuta. Por thuajse një dekadë më pas, banorët rrezikojnë t’u kthehen vështirësive të kohëve të vjetra.
Vendimi i vitit 2016 i qeverisë “Rama” për dhënien me koncesion të rrugës Milot-Morinë, u reflektua te banorët e Truallit në fund të marsit, kur kompania koncesionare mbylli hyrje-daljet poshtë një ure dhe vendosi traun, duke mos u lënë atyre asnjë rrugëdalje.
Një vendim i tillë konsiderohet absurd nga banorët e varfër, të cilët kërkojnë me ngulm përjashtimin nga çdo lloj tarife.
Banorët e Truallit me të cilët BIRN bisedoi thanë se fëmijët e tyre nga klasa e pestë e shkollës fillore, deri në gjimnaz, janë të detyruar të udhëtojnë çdo ditë drejt Kukësit. Njëherazi, edhe ekonomia e tyre familjare lidhet direkt me këtë qytet, që nga shitja e bagëtive apo e qumështit si dhe çdo punë tjetër që ata kanë.
“Të gjitha veprimet ne i kemi me Kukësin si shkollë, spital, certifikatë, pazar, gjykatë, prokurori, bashki…Vendosja e taksës për ne ishte një absurditet,” tha për BIRN Sulejman Vata, një tjetër banor i zonës.
Veritas.com.al/