Një gazetare është qëlluar për vdekje gjatë manifestimeve të dhunshme në një qytet të Republikës së Irlandës, në atë që policia po e konsideron si “akt terrorist”.
Republikanë disidentë fajësohen për vrasjen e 29-vjeçares, Lyra McKee, pas trazirave të shkaktuara si pasojë e kërkimeve policore në zonën Creggan të Derryt gjatë natës së të enjtes. Ndaj patrullave policore që lëviznin me Land Rover janë hedhur bomba molotov.
Zëvendësshefi i policisë, Mark Hamilton thotë se pas kësaj ngjarjeje, për të cilën detektivët kanë nisur hetimet për vrasje, “me gjasë ka dorë grupi paraushtarak New IRA”.
“Rreth orës 23 të mbrëmjes së djeshme, një agresor i armatosur u shfaq papritur dhe qëlloi disa herë drejt policisë, – tha ai. – Lyra McKee, grua 29-vjeçare, u plagos në vendngjarje. Ajo u dërgua menjëherë për në spital nga automjetet e policisë, por fatkeqësisht ndërroi jetë”.
Dhuna nisi fuqishëm pasi policia bastisi disa shtëpi në zonat Mulroy Park dhe Galliagh. “Republikanë disidentë të dhunshëm kanë planifikuar sulme në këtë qytet, ndaj ne ishim duke kryer një operacion kontrolli në Creggan”, tha zyrtari i policisë, Hamilton.
“Po kërkonim për armë zjarri që mund të përdoreshin gjatë fundjavës së Pashkës. Mbi 50 bomba molotov u hodhën në drejtim të policisë, ndërsa dy automjete u rrëmbyen dhe më pas iu vu flaka. Besoj se e gjithë kjo ka qenë e organizuar, në pikën që ata thjesht duan të shohin dhunë dhe të sulmojnë policinë. Të nxjerrësh armën është një veprim i paramenduar dhe i pashpirt”.
Një reporter tjetër nga vendngjarja tha se personi i armatosur “erdhi nga një cep rruge dhe nisi të shtinte pa dallim ndaj mjeteve policore”. E duke qenë se zona është e banuar, aty ndodhen një sërë banesash provate, “njerëzit dolën në rrugë për të parë ç’po ndodhte”, tha Leona O’Neill. “Pati të rinj, fëmijë në rrugë dhe adoleshentë që po i shmangeshin agresorit që qëllonte pa dallim”.
Veritas.com.al/