Sot është dita e rinisë.
Nuk do doja kurrë të isha në “këpucët” tuaja të rinj të sotëm, keni një jetë të vështirë dhe mizerabël, jeni thjeshtë marjoneta të pafajshme të “modës”, “politikës”, “tregut”.
Janë ato që ju diktojnë, se kur dhe si jeni të “suksesshëm”, të “bukur”, të “duhurit”.. dhe ne prindërit tuaj, ju tregojmë përralla me vuajtje e gjëra, kur në fakt jeni ju ata që duhet të na akuzoni për paburrëri, për tradhti ndaj jush, për idiotizëm, për hipokrizi.. për rrënimin e të ardhmes suaj.
Ne rininë tonë, ne “s’kishim” aq sa ju, por ishim zotë të vetvetes.
Me një palë pantallona dhe një bluzë, ne kishim vendin tonë në shoqëri, në bazë të vlerës njerëzore, dijes, punës.
Ne kishim mundësinë e krijimit të familjes, kësaj strehe prefekte të njerëzimit, të krijuar nga perëndia apo njeriu..
Ndërsa ju?
Juve ju duhet të bleni telefonin më të fundit, pavarësisht gjendjes apo dëshirës, që t’ju pranojnë në shoqëri.
Juve ju duhet të bëni pushimet me ekstravagandë, në vendet me të pa vlera, por dhe aq te shtrenjta për ju dhe familjen tuaj, të ndjeheni pjesë e shoqërisë.
Juve ju duhet të gjeni një pune, të bëni një karrierë, të keni x-para, x-veshje, x-makinë që të gjeni gjënë më të thjeshtë e pa kosto të jetës, dashurinë, lidhjen mes jush.
Ju mbushni boshësinë që krijon kjo botë dhe egoja jonë për ju, me drogra, seks, pije a ku e di unë çfarë.. dhe ndjeheni çdo dite më bosh.
Ne kishim tërë dashuritë e botës dhe njerëzve dhe u mbushnim me to.
Juve ju shtrydhin nga çdo gjë njerëzore çdo ditë, juve ju kanë bërë të jetoni për të tjerët, se çfarë thonë dhe çfarë bëjnë.
Ne jetonim jetën tonë, të dhuruar nga sakrificat e prindërve tanë, në një botë të thjeshte dhe aq njerëzore..
Ju duhet të hiqeni të suksesshëm, ne ishim.