Dy persona me precedentë të mëparshëm penalë u arrestuan nga policia mëngjesin e të premtes, të akuzuar për grabitjen në zyrat e prokurorisë së Durrësit. Policia njoftoi se përveç rojes private, kishte arrestuar Artur Isan 49 vjeç dhe Besnik Bushin 54 vjeç.

“Ata dyshohet  kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur, dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik”, thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit. Komunikata nuk bën me dije nëse janë gjetur apo jo dokumentet nga ato që u vodhën në prokurori.

Policia tha se dy të arrestuarit kishin precedentë të mëparshëm penal, por nuk bëri me dije se për çfarë ishin dënuar ata më herët. Zëdhënësja e policisë së Durrësit Elona Muça tha se kjo e fundit kishte ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga prokuroria dhe nuk kishin më shumë informacion rreth dy të ndaluarave. Po ashtu edhe koordinatorja për mediat e Prokurorisë së Durrësit nuk iu përgjigj pyetjeve dhe tha se “për momentin për shkak të hetimit të çështjes nuk kishin tjetër për të shtuar”.

Sipas policisë Nias Lena, roja i prokurorisë, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë akuzohen për “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit” në bashkëpunim.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të mërkurës duke gdhirë e enjte dhe sipas një njoftimi për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, ambientet e Prokurorisë së Durrësit ishin sulmuar nga disa persona të cilët sipas saj kanë përdorur mjete të forta për të hapur derën e zyrës së serverit, kanë dëmtuar pajisjet e kamerave të sigurisë dhe po ashtu kanë thyer zyrën e një prokurori dhe një oficeri të policisë gjyqësore.

Veritas.com.al/