Frrok Çupi

Do të ishte jo fort komode të shkruash për një ‘shkrim’ të tjetrit, që sapo është lëshuar në gjithë rrjetin e botës. Po i them ‘shkrim’ fjalimit të Edi Ramës, mbajtur në Këshillin e Evropës në Strasburg dje në mesditë.  Dhe prapë po them se nuk do ta kisha të lehtë të komentoja një fjalim, qoftë edhe pse ky i Edi Ramës në zemër të Europës ishte më i spikaturi dhe më i dobishmi për kombin tonë dhe për të drejtën ‘e vogël’.

Por më zgjidhi punë ajo darka e cunguar nga disa anëtarë të Këshillit, që mbajnë edhe akronimin ‘PPE’. Kjo ma thjeshtoi punën teknike të të shkruarit të dy a tre mendimeve të mija. Në fakt më ndihmoi një paralele me një ‘darkë’ tjetër udhëtari të treguar nga At Gjergj Fishta. Edhe ai i ishte drejtuar Amerikës po për ‘punë kombëtare’, në Kombet e Bashkuara. Në një moment kur anija po kalonte nëpër Atlantik, At Fishta e gjeti veten para një ‘thellimi t’frigueshëm’ “Na në Shqypni s’mund të kemi as kuptimin e një thellimit m’det- i shkruante ai mikut të tij, Justin Rrota- Njëherë qiella u vrå e erdh u mbërthye krejt me të zeza, si plumi”

Qysh kur u nis nga Londra, pengesën e parë e gjeti te ‘dreka’. Fishta tregon se si kamerierët vinin e shkonin…, po prapë pa marrë porosi, nëse nuk flisje anglisht. Mbeti më shumë se një ditë pa ngrënë, derisa mori hartën e u tregoi ku ishte  vendi i tij, Shqipëria.

“A e din si më thirrshin inglizt në mes të udhëtarëve?… “Mister Feshta, Mister Pi! Xha Fajshta!”, i shkruan poeti mikut të afërt.

Puna e darkës së mohuar nga disa anëtarë të Këshillit të Evropës në Strasburg, mbrëmë, është gjëja më normale; sikur të mos kishte ndodhur- kjo do të ishte shqetësuese. Jo për ndonjë trimëri apo ‘heroizëm’, por për gjënë më të natyrshme. Edi Rama u kishte ‘plasur’ të vërtetën para syve disa ‘gjykatësve’ që kishin vendosure mbrapsht për kombin shqiptar. Mes tyre ishte edhe Dick Marty, i studiuar si kriminalist dhe si mjek ligjor- të dyja shkolla që të shtyjnë në fantazinë alias ‘Armagedonne’, që e solli në kujtesë edhe presidenti Biden. Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk e përdori krahasimin enkas për ‘kombin shqiptar’, por për një rrezik që po i kanoset kombeve dhe individëve, me të cilën dikush bën një film ‘horror’ dhe ia injekton botës, deri në sferat e larta të vendimmarrjes politike. Rusia është një nga rreziqet e mëdha ku luhet ‘ky film’ biblik, siç edhe ka ndodhur me trillin ‘Dick Marty’ në bashkëpunim me Kremlinin kundër kombit shqiptar.

Por mungesa në ‘darkën e cënuar’ ishte gjëja më normale; ndryshe nuk mund të thuash se dikush ndjeu diçka… Ma solli në mendje darka e Fishtës, ku kamerieri erdhi, vuri gishtin mbi hartën e Shqipërisë dhe e fyu Padren në fytyrë: ‘Ky është vendi yt? Kaq i vogël… Prrr!’, bëri me buzë dhe iku.

Por puna e rëndësishme është çfarë mbeti pas darkës. Në ‘etydin’ tim ka mbetur ‘Armagedonne’, filmi që sjell përleshjen mes të keqes dhe të mirës në botë dhe që e merr spunton nga thellësitë e historisë. Kjo është e frikshme, nëse nuk do të përqendrohet fokusi real mbi trajektoret e të keqes e të mirës që përshkon hapësirat nga Rusia në Amerikë, nga Pekini në New Delhi, nga Strasburgu në Tiranë e Prishtinë… Si me anijen e Fishtës.., oqeani ishte ai që përshkruhet si për ‘jetë a vdekje’, jo darka e munguar.

(Hej, si erdhi fjala e shkrova ‘anija e Fishtës’. Ku kishte Fishta anije!? Ky formulim në gjuhën shqipe gati shkaktoi ‘tërmet’ në  darkën e Strasburgut. Edi Rama iu drejtua deputetes ‘zonja e Greqisë’ dhe ajo u zemërua e nuk erdhi në darkë. Po ne shqiptarët edhe Aleksandrit të Madh i thërrasim ‘i Maqedonisë’, apo ‘Homeri i Greqisë’, apo ‘Ismaili i Shqipnisë’).

Sidoqoftë, secili ka prirjen të shikojë ‘pas darkën’.

Ajo që mbeti për udhëheqësit e Evropës, ishte tregimi për një punë të turpshme e kryer kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër  dinjitetit të kombit shqiptar. Fajtori më i vogël në këtë mes është Dick Martuy…, në fund të fundit ai ka të drejtën që të priret drejt krijimit të një trilli ose drejt një fantazie të pa- fre. Ai krijoji edhe trillin se po e vriste Beogradi. Mirë ai, po ku është zoti i madh ‘Evropi’?

Me siguri që kjo do të korrigjohet; do të korrigjohet sepse do të ‘punohet’ mbi Kosovën dhe mbi Ukrainën. Ukraina është shfaqur si e dërguar prej Zotit me qëllim që të korrigjohen ‘paudhësitë’ dhe aventurat mbi kombet e mbi individët. Sikur të kishte ndodhur që ‘pa Ukrainën’, Rusia, Kina dhe Irani të kishin goditur me ‘kokë dash’ për të thyer rendin botëror, atëherë do të ishte çështja e varur në direkun e anijes në Atlantik.

Si do të ndryshonte rendi botëror? Thjesht, si në rastin e UÇK dhe të Shtëpisë së Verdhë në Mat. Atëherë filmi i Dick Marty-t dhe Del Pontes do të quhej ‘parashikimi bibik Armagedonne’; dhe e keqja do të mposhtte të mirën në botë. Viktima do të dënohej sa herë drejtësia do të kalonte aty pranë.

Në fjalimin e Edi Ramës mbajtur në Strasburg, të them të drejtën, pashë edhe mijëra viktima të drejtësisë shqiptare. A do të vijë, vallë, edhe këtu vala që viktima të mos dënohet prapë nga xhelati? Këtë s’e them dot.