Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një mbledhje me përfaqësuesit e shoqatave të transportit publik, ka bërë me dije se Qeveria po përpilon një plan për kursimin e energjisë dhe hidrokarbureve.
 Sipas tij, bota po përballet me mungesë të naftës, ndërsa e ka krahasuar këtë me krizën e vitit 1974.

“Ndërkohë që diskutojmë çmimet këtu, rreziku është mungesa. Pavarësisht se do ta blesh, nuk e gjen. Agjencia e Energjisë sot ka paralajmëruar mundësinë e shokut më të madh të furnizimit me naftë ndër dekada. Ajo që unë kam kuptuar më shumë, duke marrë informacionet e nevojshme. Ajo së cilës me gjasë i referohem me dekada është kriza e ‘74-ës, kur ne ishim në bunker, por kur bota ka kaluar një moment kritik të furnizimit me naftë”.

Në planin e qeverisë, që pritet të shpaloset në ditët në vijim, parashikohet që në disa ditë të veçanta të kryhet lëvizja pa makina.

Gjithashtu, shtoi kreu i Qeverisë, në disa sektorë të ndryshëm, në tri ditë të javës, të punohet nga shtëpia.

“Do të bëjmë një mbledhje, që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, nëse vendosim kështu. Por do të vijë gradualisht, e diela pa makina, për të kursyer. Ose të flasim për tri ditë mosvajtje në punë, si me COVID-in, për shkak kursimi. Kjo është situata”.

Në vijim, Rama bëri me dije se Qeveria ka dhënë 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të biletës në transportin publik, që qytetarët përdorues të këtij transporti të mos preken financiarisht nga pasoja e luftës mbi çmimin e karburantit.

“Në një moment të caktuar, mund të ndodhë që të mos ketë mjaftueshëm naftë. Sidoqoftë, në rastin konkret, këtë fond e kemi vendosur dhe avokati i popullit e ka përshëndetur i pari këtë. Do ta vendosim në dispozicionin tuaj. Sektori juaj do të ishte në kushtet e një kolapsi total. Ne na intereson që të gjithë njerëzit që përdorin autobusin të mos kenë probleme. Duhet të ulemi të bisedojmë një zgjidhje afatmesme”.

Kreu i Qeverisë tha se pikërisht nafta, ishte arsyeja pse ai kishte udhëtuar në Dubai.

“Arsyeja se përse bëmë atë vizitë në Dubai ishte për të parë mundësitë e garantimit të furnizimeve. E dëgjuat drejtpërdrejt nga Princi i Kurorës, që gjërat, që lidhen me furnizimin me naftës, nuk janë mirë. Rritja e çmimeve është vetëm pjesa e parë e filmit të mundshëm”.