Policia Kufitare Vlorë u shkoi në ndihmë disa pushuesve, të cilët rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre në ujërat e Sarandës dhe në Palasë.

Pas marrjes së njoftimeve në kohë reale, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut.

Operacioni në Sarandë
Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit.

Operacioni në Palasë
Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasojat e rrezikshme për jetën e pushuesve dhe u garantua siguria e mjeteve lundruese.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *