Nga: Laert Skiro/

Çadra e protestuesve në Bulevardin e Madh të Tiranës tashmë ka marrë kuptimin e balancueses mes asaj që po ndodh në politikën e vendit dhe asaj që është gati të lindë. E vendosur mu në mes të dy selive kryesore të pushtetit, duket se iu ka vënë gishtin para syrit; gishti nuk lëviz as para as mbrapa por i çmend.

Të gjithë e kanë kuptuar se “Çadra” do të bëjë ndryshimin; edhe pse aq e qetë dhe me kaq “pak” njerëz. Kryeministri Rama, të cilit i kërkohet të “dorëzojë” qeverinë dhe veten para se të vijnë zgjedhjet e qershorit, bën sikur nuk do t’ia dijë për protestën. Ai ka formuluar një batutë krize, që në fakt po të zbatohej do ta çonte në krizë politikën dhe arritjen e pluralizmit në vendin tonë. Ai ka formuluar frazën se “Me Saliun a pa Saliun- ne bëjmë zgjedhjet më 18 qershor”.

Mirëpo pa opozitën nuk mund të bëhen zgjedhje në shekullin tonë, as në sisteme demokratike. Batuta e Ramës bie poshtë…, para kujt?… Jo para dikujt, por para një epoke dhe një stadi ku nuk ka veç një ose një miliardë njerëz.

Pas batutës së kryeministrit, të njëjtën gjë bën edhe Numri 2 i Shtetit, kryetar i Kuvendit. Ky ka thënë se “që në vitet 90 kemi pluralizëm politik”, duke dashur të thotë se “nuk mund të ketë zgjedhje politike veç me një parti; sidomos pa opozitën”. Ilir Meta, kryetar Kuvendi, edhe pse e ka zyrën mbi Çadër as dhjetë metra, edhe pse ka kaluar një muaj kohë që nga dita e parë e protestës- ky nuk ka thënë akoma gjë serioze. Batuta e tij duket më e shkurtër se e kryeministrit, por përsëri batutë mbetet.

Sot zoti Meta dhe një sinjal tjetër të talljes ndaj grupimit socialist në qeveri, dhe sidomos ndaj delfinëve të Ramës.  Në një takim me kryetarin e Bashkisë, Veliaj, që njihet si kryeministër “hije” i Ramës, ky i përmendi  “fiqtë”. “Fiqtë” janë simboli i përqeshjes së Erion Veliaj; para se të bëhej kryetar i Bashkisë ai shiste fiq. “Mos harro të sjellësh fiq me vete!”, i tha zoti meta kryetarit të Bashkisë kur ai u nis të takonte aleatin në qeverisje.

Por nga ana tjetër maten peshat e një “dite” tjetër politike në vend. Në anën tjetër, domethënë të opozitës, janë ngarkuar barrët. Vetë Opozita ka marrë përsipër të krijojë klimë të vërtetë politike për zgjedhje të lira e të ndershme-gjë që është barrë e madhe. Ka marrë përsipër dekriminalizimin e politikës- që tashmë është kthyer në imperativ të vërtetë- si dhe luftën kundër kanaibizimit të sipërfaqes së vendit.

Por me qëllimin e opozitës janë bashkuar forcat ndryshuese të vendit dhe të Perëndimit; në radhë të parë në Shtetet e Bashkuara. Kjo e ka bërë më me peshë “anën tjetër” atë që nuk mendon për batutat që “kapërcejnë lumin”.

Batutat tregojnë vanitet.

/Veritas..com.al/