Për të gjashtën ditë radhazi qytetarët protestuan për dy orë duke kundërshtuar rritjen e çmimeve. Fillimisht ata u mblodhën në sheshin ‘Skëndërbej’ dhe marshuan deri tek kryeministria. Në krahasim me ditët e tjera, numri i protestuesve është relativisht i ulët.
Ndërkohë kësaj proteste nuk i janë bashkuar qytetet e tjera, në krahasim me radhët e tjera. Vetëm qytetarët e Shkodrës protestuan për vetëm 15 minuta.
“Çdo ditë pasuronte të vetët, sot i keni ndryshuar axhendën, sot e shikoni të komunikojë çdo ditë me qytetarët, nuk kishte nge ta bënte më para. Një krye që refuzoi 6 ditë më parë ta njihte krizën, vetëm kur ju pa ju u kujtua se duhej të kujdesej për të mbajtur karrigen. Çfarëdo që iu ka dhënë deri më tani, ja keni marrë ju, nuk ua ka dhënë, ua keni marrë ju. A e kuptoni me çfarë do të na gënjejë. U ka dhënë 30 mijë lekë pensionistëve me 150 mijë lek pension. Kjo protestë nuk është frikë, kjo protestë është martonë, është qëndresë. Ne nuk shkulemi pa fituar dinjitetin, pa parë çmimet të bien”, tha një protestues.
“Një njeri që nuk ka protestuar që nuk ka luftuar që nuk ka dashuruar qoftë edhe njëherë të vetme ai njeri nuk ka jetuar. Duhet ët kuptojmë se është obligim të luftojmë për pasardhësit tanë. Ne si qytetarë duhet të kuptojmë që një pakicë oligarkësh kurrë nuk mund të zotërojnë gjithçka. Ne nuk duhet të ndalemi përderisa çdo ditë të rinjtë largohen nga ky vend. Është detyrim i joni të protestojmë. Ne jemi në krizë se qeveria dhe oligarkët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin”, tha një i ri.
Protestuesit i kanë parashtruar kryeministrit Edi Rama tre kërkesat e tyre: anulim i përhershëm për taksën e qarkullimin, pezullim i përkohshëm i akcizës për karburantet deri në përfundim të krizës, miratimi i ligjit për minimumin jetik. Ata thonë se Rama duhet t’i plotësojë këto kërkesa brenda javës ose në të kundërt nuk do tërhiqen nga protestat.
“Kërkojmë: anulim i përhershëm për taksën e qarkullimin, pezullim i përkohshëm i akcizës për karburantet deri në përfundim të krizës, miratimi i ligjit për minimumin jetik, afati i realizimit në fund të kësaj jave. Mos realizimi i këtyre konverton kërkesat në një dorëheqje nga ana e Ramës dhe hapja e garës brenda PS për kryeministër të ri. I ftoj shqiptarët të bashkohen në çdo shesh. Shoferët të mos mërziten për 1 orë bllokim të qarkullimit. Imagjinoni si janë protestat në vende të tjera. Çfarë proteste paqësore të tjera doni, me lule?”