Rritja ekonomike në vend për vitin 2022 ishte 4.84%. Kështu u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj këtë të premte gjatë një konference për mediat.
Ibrahimaj u shpreh se rritje kanë pasur kryesisht sektorët e ndërtimit dhe të turizmit.
Sipas saj, procesi i rindërtimit po vijon me ritme të shpejta, teksa shtoi se janë shtuar shtetasit e huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Ndër të tjera, ministrja nënvizoi se të ardhurat u rritën me 13.8%, ndërsa norma zyrtare e papunësisë u ul në 10.8%
“Për 3 mujorin e katërt u rrit me 9.8%, duke reflektuar ecurinë e mirë, qoftë të investimeve private në sektorë, qoftë ecurinë pozitive të sektorit të ndërtimit, që është ndikuar kryesisht nga procesi i rindërtimit, që vijon me ritme të shpejta. Ka pasur ndikim edhe rritja e sektorit të turizimit. Në krahasim me vitin 2021, sektorët e lidhur drejtpërdrejt me turizmin u rritën me 10.12%, ndërsa qarkullimi me ato industri të lidhura drejtpërdrejt me turizmin, kanë pasur një rritje prej rreth 40%. Në vitin 2022, hynë 7.5 milionë shtetas të huaj, në krahasim me 5.7 që ishte një vit më parë. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje me 1 milionë shtetas të huaj. Ecuria e aktivitetit ekonomik është ndikuar nga ecuria e të ardhurave. Të ardhurat në total gjatë vitit 2022, janë rritur me 13.8%.
Tatimi mbi vlerën e shtuar është rritur me 14.2%. Inflacioni mesatar për vitin 2022, ka qenë 6.7%. Nëse do krahasojmë rritje e të ardhurave me 14.2% dhe inflacioni me 6.7%, kuptohet që kjo rritje e të ardhurave nga TVSH nuk vjen vetëm nga rritja e çmimeve. Kemi pasur një rritje të të ardhurave të tatimit mbi fitimin. Niveli i papunësisë për grupmoshën 15-64 vjeç, që nuk është papunësia zyrtare e vendit, ka ardhur në ngadalësim nga viti në vit. Për 3 mujorin e katërt të vitin 2022, arriti në 11.4. Norma zyrtare e papunësisë arriti në 10.8%. Niveli i punësimit në rritje, 66.5%%, theksoi ajo.