Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Bruksel, me një mungesë të rëndësishme, atë të sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio.
Shtetet e bashkuara përfaqësohen në këtë takim nga zëvendësi i Rubio, Christopher Landau dhe zyrtarët në Departamentin e Shtetit thanë se Rubio nuk është I pranishëm për shkak të angazhimeve të shumta dhe është e pamundur që ai të jetë në çdo mbledhje të aleancës.
Por sekretari i NATO-s Mark Rutte nuk e ka parë si problem këtë mungesë të rëndësishme, teksa u ndal te kërcënimi rus dhe tha se Moska po përgatitet për konfrontim afatgjatë dhe dënoi veprimet e saj të pamatura dhe të rrezikshme.
Megjithatë mungesa e diplomatit më të lartë amerikan është një sinjal edhe për Europën, e cila ka mbetur jashtë diskutimeve për fundin e luftës në Ukrainë.
Diskutimet janë të përqendruara te bisedimet e paqes, të cilat janë kryesuar prej muajsh nga Uashingtoni.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka lënë në hije kontinentin e vjetër, të cilit i ka kërkuar vazhdimisht të ndalojë blerjen e gazit rus.
Dhe duket se presioni amerikan ka funksionuar, pasi Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për të hequr gradualisht importet e gazit rus deri në vitin 2027.
Sipas këshillit europian, Rusia e ka përdorur furnizimin me gaz si një armë në favor të saj dhe kjo ka pasur ndikim të rëndësishëm në tregun europian të energjisë.
Ndërkohë disa vende të NATO-s, mes tyre Gjermania, Polonia dhe Norvegjia, u zotuan për fonde të reja për të blerë armë amerikane për Ukrainën.
Zhvillimet në Bruksel vijnë teksa Rusia refuzoi planin e paqes për Ukrainën, duke thënë se nuk u arrit një kompromis për çështjen më të rëndësishme, atë të territoreve. Gjatë takimit me të dërguarit e Trump Stiv Uitkof dhe Jared Kushner, Vladimir Putin duket se nuk ka rënë dakord të bëjë lëshime.
Megjithatë Kremlini reagoi më vonë se njoftoi se presidenti rus pranoi disa propozime dhe refuzoi disa të tjera, duke e quajtur këtë një process normal negociimi.
Nga ana tjetër presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi sërish bisedime të drejta, pjesë e të cilave duhet të jetë patjetër Kievi. Ai njoftoi gjithashtu se delegacioni ukrainas po përgatitet për të mbajtur një takim tjetër me përfaqësuesit e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.
Mes këtyre zhvillimeve diplomatike Rusia sulmoi sërish Ukrainën duke lënë të paktën dy të vrarë dhe disa të plagosur në rajonin e Dnipropetrovsk. Ukraina nga ana tjetër ka vazhduar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike ruse, këtë herë në një depo nafte në rajonin perëndimor të Tambovit.
Komente