![](https://veritas.com.al/wp-content/uploads/2023/01/andrei-wagner-1280x720.jpg)
Një ish-komandant në grupin e mercenarëve të Rusisë Wagner është arratisur në Norvegji dhe po kërkon azil, pasi ka kaluar kufirin arktik të atij vendi. Lajmi është njoftuar nga CNN që citon policinë norvegjeze dhe një aktivist rus.
Bëhet fjalë për ish-komandantin Andrei Medvedev, i cili në një intervistë me një aktivist rus që ndihmon njerëzit të kërkojnë azil jashtë vendit, tha se ai kishte frikë për jetën e tij, pasi refuzoi të rinovonte shërbimin e tij me Wagner.
“Sapo na hodhën për të luftuar si mish për top”, i tha ai Vladimir Osechkin, kreut të Gulagu.net, një grup mbrojtës i të drejtave të njeriut, në një bisedë të publikuar në YouTube.
Medvedev ishte përpjekur më parë të kalonte në Finlandë dy herë dhe dështoi, tha Osechkin për CNN të hënën.
Grupi mercenar, i kryesuar nga oligarku rus, Yevgeny Prigozhin, është shfaqur si një lojtar kyç në pushtimin rus të Ukrainës, së fundmi duke bërë pjesën më të madhe të luftimeve në qytetin e vogël lindor Soledar .