
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se paqja në Ukrainë mund të jetë e paarritshme për shkak të një “urrejtjeje të tmerrshme” midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky. Duke folur nga Air Force One, Trump konfirmoi se po zhvillohen bisedime me Rusinë, por nuk dha detaje. Sipas tij, ekziston ende një shpresë për marrëveshje, por rruga drejt paqes mbetet e bllokuar.
“Urrejtja po nxit luftën që ka shkatërruar Ukrainën për më shumë se tre vjet tani. Një urrejtje e tmerrshme midis dy burrave, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin. Aq shumë sa ndoshta, paqja nuk është e mundur. Por ka mundësi të shkëlqyera për ta arritur atë”.
Ndërkohë, Putini, në një dokumentar rus, pohoi se Rusia mund ta fitojë luftën pa përdorur armë bërthamore. Ai shtoi se “pajtimi me popullin ukrainas është i pashmangshëm”, edhe pse Moska vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase, përfshirë Kievin, ku një sulm së fundmi la të plagosur 11 persona, mes tyre dy fëmijë.
Kremlini po propozon një armëpushim tre-ditor për të shënuar Ditën e Fitores më 9 maj, ku Putin ka ftuar liderë si Xi Jinping në Moskë. Zelensky e ka refuzuar propozimin, duke e cilësuar si cinik dhe të pabesueshëm, duke kujtuar premtimet e mëparshme të thyera nga Rusia. Ai theksoi se vetëm këtë javë, Rusia ka përdorur mbi 1,180 dronë sulmues dhe qindra bomba kundër Ukrainës.
“Vetëm këtë javë, Rusia ka përdorur më shumë se 1,180 dronë sulmues, 1,360 bomba ajrore të drejtuara dhe 10 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës”, tha Zelensky.
SHBA dhe Ukraina kërkojnë një armëpushim të paktën 30-ditor. Në këtë drejtim, SHBA pritet të transferojë një sistem mbrojtës Patriot nga Izraeli drejt Ukrainës, ndërsa diskutohen edhe mundësi të tjera nga Gjermania apo Greqia.
Përballë sulmeve të përditshme dhe mungesës së përparimit diplomatik, Ukraina mbështetet gjithnjë e më shumë te ndihma ushtarake perëndimore për të ruajtur sovranitetin e saj.
Komente