Në tokë është e shkruar qartësisht me bojë të bardhë dhe me shkronja të mëdha: Fëmijë!
Pamjet e fundit satelitore nga Teatri i Mariupol-it – përpara se të bombardohej – tregojnë qartësisht se rusët ishin të paralajmëruar për faktin që në godinë ndodheshin fëmijë.
Por, sërish, ata nuk u stepën për ta sulmuar atë.
Rreth 1 mijë deri në 1 mijë e 200 njerëz, mendohet se kanë qenë brenda aty, të strehuar, në zemër të një qyteti, i cili ndodhet në katastrofe humanitare. Prej më shumë se një jave, i rrethuar nga forcat ruse, pa furnizim me ujë, energji elektrike apo ushqime.
Mariupoli po kthehet në fytyrën e denjë të rezistencës ukrainase ndaj agresionit moskovit.
Korridoret humanitare, jo gjithnjë funksionojnë. Edhe kur armëpushimi për kalimin e civilëve respektohet, ata të cilët ikin, janë të pakët.
Rusia nga ana tjetër e mohon se ka goditur civilët gjatë gjithë rrjedhës së agresionit që po kryen në Ukrainë.
Pamjet gjithsesi, flasin krejt të kundërtën.
Kievi po ashtu po sulmohet. Kryeqyteti ka parë e ndjerë edhe një natë tjetër bombardimesh.
Një person mbeti i vrarë nga rënia e mbetjeve të një rakete, e cila po godiste Kievin, mëngjesin e 17 marsit.
Shënjestra, ishte pikërisht një pallat rezidencial. Aty, jetojnë civilë. Rusia, nuk po kurse askënd për qëllimet e saj.
As fëmijët…