Nga: Zëri i Amerikës/

MOSKË/BEOGRAD – Rusia tha të enjten një divizion i sistemit të saj të mbrojtjes raketore S-400 do të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake në Serbi, duke nënvizuar dëshirën e Moskës për të qëndruar në krah të një aleati tradicional edhe kur Beogradi kërkon lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Do të jetë hera e parë që sistemi i sofistikuar S-400, së bashku me një bateri rakete Pantsir, do të marrë pjesë në stërvitje ushtarake jashtë vendit, tha në një deklaratë Ministria ruse e Mbrojtjes.

Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se stërvitjet e koduara Mburoja Sllave 2019, synojnë të simulojnë “përdorimin e një grupi të përbashkët luftarak … në mbrojtje … kundër zbulimit të armikut dhe veprimeve ofensive”.

“Përveç sistemeve të raketave anti-ajrore në përdorim në ushtrinë serbe, sistemet e raketave që janë në përdorim nga Forcat Ajrore Ruse do të përdoren gjithashtu” në manovrat e drejtpërdrejta të zjarrit që do të vazhdojnë deri në 29 tetor, thuhet në një deklaratë.

Stërvitjet filluan të mërkurën por nuk u bënë publike deri të enjten.

Serbia deklaroi neutralitetin ushtarak në vitin 2006 dhe u bashkua me programin e Partneritetit për Paqen të NATO-s në vitin 2015, megjithëse nuk kërkon anëtarësim të plotë në aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ajo është gjithashtu një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe po negocion hyrjen në bllok.

Por Rusia është duke u përpjekur të mbajë Serbinë sllave brenda sferës së saj të ndikimit gjeopolitik.

Serbia, ushtria e së cilës bazohet në teknologjinë e armëve ish-sovjetike, ka siguruar nga Rusia vitet e fundit avionë luftarakë MiG-29 si dhe helikopterë, tanke dhe transportues të blinduar të personelit.

Të dy vendet kanë shtuar gjithashtu bashkëpunimin në fushën e inteligjencës. Të mërkurën, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme ruse (SVR) Sergey Naryshkin, i tha televizionit shtetëtor serb RTS TV se të dy vendet po kryenin “operacione të ndërlikuara të ndërsjellta” për të mbrojtur interesat e tyre të jashtme.

Serbia është mbështetur tek Rusia në refuzimin e saj të vazhdueshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, e cila u shkëput në 2008 pas një kryengritjeje të përgjakshme guerilje. Paqeruajtësit e NATO-s mbeten në Kosovë.

Serbia gjithashtu varet tek Rusia për furnizime me gaz natyror dhe kompania më e madhe lokale e naftës, Naftna Industrija Srbije, është në pjesën më të madhe në pronësi të Gazpromit të Rusisë.

Veritas.com.al/