Steve Scherer

OTTAWA (Reuters) – Kanadaja nuk e mbështet kthimin e Rusisë në Grupin e Shtatë, të propozuar nga Presidenti i Sh.B.A. Donald Trump gjatë fundjavës, sepse Moska vazhdon të shkelë ligjin ndërkombëtar, tha të hënën kryeministri Justin Trudeau.

“Rusia ishte përjashtuar nga G7 pasi pushtoi Krimenë disa vjet më parë,dhe mosrespektimi i vazhdueshëm i saj dhe shkelja e rregullave dhe normave ndërkombëtare është arsyeja pse mbeti jashtë G7, dhe do të vazhdojë të mbetet jashtë”, tha Trudeau gjatë nje konference ditore për shtyp.

Trump tha të Shtunën se do të shtyjë një Samit të Grupit të Shtatë që ai kishte shpresuar të mbajë muajin tjetër deri të paktën në shtator dhe të zgjerojë listën e të ftuarve për të përfshirë Australinë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

Të Shtunën Trump tha se G7,i cili grupon ekonomitë më të përparuara në botë, ishte një “grup shumë i vjetëruar i vendeve” në formatin e tij aktual.

Kur e pyetën nëse ai do të marrë pjesë në G7 nëse vjen Presidenti Rus Vladimir Putin, Trudeau nuk u përgjigj, duke thënë se kishte ende “shumë diskutime” të nevojshme para takimit.

Por ai tha se grupi G20,që përfshin Rusinë, ishte një forum që përfshin vendet qe “ne nuk kemi domosdoshmërisht marrëdhënie të shkëlqyera me to”.

“G7 ka qenë gjithmonë një vend për biseda të sinqerta me aleatët dhe miqtë që ndajnë aq shumë. Kjo është sigurisht ajo që unë shpresoj të vazhdoj të shoh,” tha Trudeau.

Trump foli me Putin të hënën dhe e informoi atë rreth planeve të tij për të zhvilluar një takim të zgjeruar të G7 më vonë këtë vit, tha Kremlini të hënën.

Rusia u përjashtua nga ajo që ishte atëherë G8 në 2014 kur paraardhësi i Trump, Barack Obama,ishte presidenti i Sh.B.A.-së, pasi Moska aneksoi rajonin e Krimesë nga Ukraina. Rusia ende mban territorin, dhe qeveri të ndryshme të G7 kanë kundërshtuar thirrjet e mëparshme nga Trump për të pranuar përsëri Moskën.

VERITAS.COM.AL