Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pasditen e 7 janarit e ka cilësuar protestën e thirrur nga Sali Berisha “luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokratët”.
Sipas Bashës, ish-kreu i selisë blu, ka mashtruar që në fillesat e lëvizjes së tij të foltores. Kjo me arsyetimin se “Berisha e ktheu në luftë personale – shpalljen e tij non grata”.
“Berisha ka mashtruar me perpjekjet e tij të vazhdueshme për t’ua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes non grata që merr kohë dhe përfshin disa insituticione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës”, deklaroi ai.
Protesta e 8 janarit për Bashën është tub oksigjeni për “regjimin e Edi Ramës”.
“Lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori, kur unë mora vendimin e për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën, kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejes sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë”, tha Basha.
Në deklaratën e tij, kryedemokrati është shprehur se ka pranuar përgjegjësitë e tij në humbjen e zgjedhjeve për tetë vite, por ka ravijëzuar se “Berisha nuk mund të sillet sikur vjen nga një ishull dhe nuk kishte asnjë informacion mbi disa vendime kryesore”.
Sa i përket referendumit të mbajtur nga Komiteti i Rithemelimit, Basha e cilësoi mashtrim dhe “pseudo-referendumi”.
Gjatë fjalës së tij Basha akuzoi ish-kryeministrin se “do kaos dhe dhunë dhe se nuk njeh statut e institucion”.
Basha theksoi se ditën e nesërme nuk mund të ketë përplasje edhe pse “Berisha ka mobilizuar trafikantë e kriminelë”
Ai u bëri thirrje demokratëve te rrinë larg skenarëve të dhunës.