Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha dy ditë pas Kuvendit të 11 dhjetorit ka mbërritur në selinë blu për të zhvilluar një mbledhje bashkë me 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.
Ish-kryeministri theksoi se sot kanë ardhur për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë.
“Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër”, tha Berisha.
Ai deklaroi se me zyrën e Bashës nuk ka askush punë, por deklaroi se “sot vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”.
“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër. Në zyrën e Bashës nuk kemi punë. Sot vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”. Ne nuk kemi punë në zyrën e Bashës. I ka marrë të gjitha karriget në zyrën e tij se nuk i mjafton karrigia e vet”, tha Berisha për kamerat.
Pas futjes në ambientet e shtëpisë së PD-së, nuk munguan as akuzat për Bashën.
Berisha e akuzoi atë për “marrjen e karrigeve”.
“Çmenduria e Bashës, ka marrë të gjitha karriget”, u shpreh ish-kryeministri i Shqipërisë.
Ky i fundit theksoi se vendimet që do të merren pas mbledhjes do të bëhen publike edhe për mediat.
Kujtojmë se aktualisht në katin e dytë të ndërtesës së PD-së po zhvillohen dy mbledhje paralele.
Në mbledhjen e Bashës të pranishëm janë Gazmend Bardhi, Alfred Rushaj, Jonila Godole, Jemin Gjana dhe Fitim Zekthi.
Sipas një njoftimi të PD-së, mësohet se po zhvillohet një takim për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në FRPD. Në këtë mbledhje i pranishëm është edhe kryetari i PD, Lulzim Basha.
Nga ana tjetër, Berisha dhe 28 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit janë vendosur në sallën e mbledhjes së grupit parlamentar.
Një ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.
Po kështu, PD miratoi me të gjitha votat një Rezolutë të Këshillit Kombëtar, duke anuluar çdo vendim të dalë nga Kuvendi i mbledhur të shtunën nga ish-lideri i PD, Sali Berisha.
Ndërsa të shtunën në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha u shkarkua Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike.
Pas ndryshimit të Statutit dhe shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë të partisë, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të mblidhet sërish për të mbajtur referendum.
V ERITAS.COM.AL