Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka dalë kundër idesë së ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Express.

Madje, ka thënë se nuk duhet që Lugina e Preshevës të përdoret për tregti ndërmjet dy shteteve e aq më pak të preken kufijtë e Kosovës që janë njohur ndërkombëtarisht nga 115 shtete, shkruan Gazeta Express.

“Shqiptaret e komunave te Luginës kane nevoje per garantimin e te drejtave te tyre ne përputhje me konventën Europiane të të Drejtave te Njeriut, investime dhe zhvillim dhe jo qe te përdoren per interesa te Serbisë për tregti territoresh”, ka shkruar Berisha, pas një takimi që ka pasur me udhëheqës të Luginës.

“Është fakt i pamohueshëm se Serbia gjithnjë ka dashur t’u përdorë si plaçke tregu dhe per shkëmbim territoresh”, ka shtuar ai.

Reagimet e Berishës vijnë në kohën kur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po paralajmëron se do të ketë korrigjim të kufijve dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Megjithëkëtë, Sali Berisha e ka kundërshtuar edhe këtë ide.

Ka thënë se s’bën të preken kufijtë e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht nga shumica e vendeve të botës.

“Personalisht unë kam qene dhe jam gjithnjë për paprekshmërinë e kufijve te Kosovës dhe çdo lloj copëtimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kundër çdo diskutimi për këto çështje. Mendoj se te njohësh te drejtën Serbisë, fuqisë se humbur nga lufta, te paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është gabim i madh dhe historik, është ne një fare mënyre një zhbërje e qëllimit dhe rezultatit te luftës dhe kapitullimit te Serbisë. Por kjo është edhe një zhbërje e Kosovës te çliruar ne vitin 1999, te njohur ne dokumentet ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete perfshi ketu 95% te vendeve te lira te botes”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ndaj Kosovës nuk duhet lejuar askënd të pretendojë të marrë asnjë pëllëmbë tokë.

“Ju nuk duhet ne asnjë mënyrë te bëheni shkak për këto pazare. Lugina duhet te jete Lugine paqeje, bastion i pamposhtur i vlerave, botes shqiptare dhe europiane, me qytetare te barabarte para ligjit dhe ne rast se Serbia nuk pranon këto parime vetëkuptohet qe ajo nuk kërkon marrëveshje por konfliktualitet dhe destabilizim”, ka shtuar ai.

Veritas.com.al/