Në 28 shkurt në Shqipëri do të mbërrijë Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky. Vizita e tij ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Rama.

Në Tiranë do të mbahet një forum botëror për sigurinë e Ukrainës, ku do të bëhet bilanci i luftës dhe Perëndimi do të përforcojë angazhimin për të ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën me Rusinë.

Mbajtja e këtij forumi në Shqipëri është një tjetër moment i rëndësishëm për vendin, teksa gjatë Këshillit të Sigurimit në OKB, Tirana ishte përkrah Uashingtonit në udhëheqjen e betejës kundër agresionit rus.

Ishte vetë kryeministri shqiptar ai që drejtoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku mbajti një fjalë vetë presidenti i Ukrainës, Zelensky, dhe ku Edi Rama u përplas me përfaqësuesin e Rusisë.

Fundi i shkurtit nuk do të jetë vetëm një mundësi për Ukrainën, por edhe për vetë Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarët e lartë të Amerikës dhe të BE-së që do të marrin pjesë në forumin e Ukrainës, të nesërmen, në 29 shkurt do të takohen në Tiranë me liderët e Ballkanit Perëndimor me fokus integrimin.