Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) mbërriti në Shqipëri mbrëmjen e së martës, në vizitën e tij të parë në vendin tonë, teksa sot do të mbahet Samiti për Ukrainën.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se ky Samit është një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm kundër agresionit rus në Ukrainë.

“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për Shqipërinë, që sot mikpret në Samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, Presidentin Volodymyr Zelenskyy, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive tona kundër agresionit rus, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ditën e sotme do të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, ku Zelenski është bashkëorganizator së bashku me Kryeministrin Edi Rama.

Por para nisjes së punimeve të samitit, sipas axhendës zyrtare, në orën 09:00 presidenti Zelenski do të mikpritet nga Rama në Kryeministri  për të vijuar më pas me takimin “kokë më kokë”.

Më pas në orën 09:30 do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve, e në orën 10:10 do të firmoset marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Në orën 11:00 mbërrijnë liderët e 10 vendeve të Europës në Pallatin e Kongreseve dhe në orën 11:30 kryeministri Rama dhe Presidenti ukrainas, Zelenski do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit të “Ukrainë – Europa Juglindore”.

Ndërkaq, në orën 13.30 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.