I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin po qëndron sot për vizitë në Kosovë.
Para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ai është takuar me komandantin e KFOR-it, Angelo Mikele Ristuccia për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ai ka kërkuar vetëpërmbajtje dhe përkushtim nga Kosova e Serbia për çështjen e dialogut.
“Në Kosovë për të vlerësuar situatën, duke folur me EULEX-in, KFOR-in, Qeverinë e Kosovës, serbët e Kosovës në Mitrovicë. Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri dhe reagimet e dhunshme ndaj saj. Vetëpërmbajtja nga të gjitha palët dhe përkushtimi i plotë nga Kosova dhe Serbia për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjeve të arritura është e nevojshme. Mbështetje e plotë për Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”, shkroi Sarrazin në Twitter.
Të premten, më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat, që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.
Një ditë më herët, ata ishin betuar në shkolla dhe ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave për shkaqe sigurie. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërkaq Policia e Kosovës njoftoi se të paktën pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime.
Rritja e tensioneve u dënua nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.