Krahas linjës së re Tiranë-Rinas-Durrës që ka nisur të ndërtohet, Shqipëria brenda pak vitesh do të ketë edhe një tjetër linjë moderne hekurudhore që do të lidh Vorën me Hanin e  Hotit.

 Puna ka nisur me dëgjesat publike, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave në një intervistë për televizionin Klan, thotë se është përcaktuar kostoja dhe burimet e financimit të këtij projekti që do të ketë standarde europiane.

 “Vlera e këtij projekti është 267 milionë Euro. 133.4 milionë Euro kanë ardhur në formë granti nga Bashkimi Europian, pjesa tjetër financohet nëpërmjet një kredie të butë nëpërmjet donatorëve që janë BERZH dhe BEI punimet pritet të fillojnë në fillim të vitit 2024”, thotë drejtori i Hekurudhave, Gentian Liko.

Projekti ndjek të njëjtën gjurmë me linjën ekzistuese, por bën zgjerim të transesë dhe rrit sigurinë, çka do të përkthehet edhe një shpejtësi më të lartë lëvizje.

“Gjurma do të jetë e njëjta, do të fillojë nga Vora dhe do të shkojë në lidhjen kufitare të Malit të Zi. Traseja është zgjeruar dhe ndodhet në 6.5 metra. Gjatësia e linjës është 120 kilometra dhe do të ketë gjithsej 12 stacione. Shpejtësia e projektuar është 120 kilometra në orë”.

Linja hekurudhore Vorë – Han i Hotit do të shërbejë për transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Stacionet do të jenë po në të njëjtat vende.

“Si vendndodhje do të qëndrojmë në stacionet ekzistuese. Do të jenë stacione moderne që do të kenë brenda tyre edhe pjesën e sinjalistikës edhe të telekomunikacionit”.

74 do të jenë kalesat e autorizuara përgjatë linjës hekurudhore Vorë – Han i Hotit, të gjitha të tjerat do të mbyllen.

Linja hekurudhore Vorë – Han i Hotit, sot është pjesërisht jashtë funksionit dhe shërben vetëm për transportin e mallrave nga Gjormi drejt Malit të Zi.

Prej tërmetit të viti 2019, ura e Ishmit u dëmtua, duke nxjerrë jashtë funksionit disa stacione.