Edhe seanca e kësaj të enjteje në Parlament është zhvilluar mes kaosit, si jashtë, por edhe brenda ambienteve të Parlamentit.
Fillimisht, Garda e Republikës ndaloi deputetët e përjashtuar që të futen brenda Kuvendit. Kjo ka acaruar deputetët e tjerë që nuk janë në listën e të përjashtuarve. “Hapni derën!”, “Kush je ti?!”, “Shoqja Lindita, a mund të futem?”, ishin disa nga thirrjet e deputetëve.
Seanca nisi rreth orës 10:20 dhe menjëherë deputetët e opozitës ndezën tymuese ashtu siç kanë bërë javët e fundit. Ndërkohë, Lindita Nikolla nxitoi për të kaluar në votim të gjitha pikat e rendit të ditës, që kaluan për rreth 10 minuta dhe seanca u deklarua e mbyllur.
Mes tyre, u miratuan edhe ndryshimet e rregullores së Kuvendit, që do të thotë se deputetët që thyejnë rregullat do të përjashtohen jo më 10 ditë maksimumi, por deri në 60 ditë.
Projektligjet në rendin e ditës u miratuan pa debat e pa asnjë prezantim nga shumica në pushtet.