“Covid-19”, ky është emri zyrtar i sëmundjes së shkaktuar nga coronavirusi, një emër ky i bërë me dijeni nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Fjala coronavirus i referohet grupit të viruseve që i përket. Vetë virusi është përcaktuar si SARS-CoV-2 nga Komiteti Ndërkombëtar për Taksonominë e viruseve. Studiuesit kanë bërë thirrje që të përdoret emri zyrtar, Covid-19, për të shmangur ngatërresat.
“U desh të gjenim një emër që nuk i referohej një lokacioni gjeografik, një kafshe, një individi apo një grupi njerëzish, i cili është gjithashtu i shqiptueshëm dhe lidhet me sëmundjen,” tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Emri u formua nga bashkimi i fjalëve “corona”, “virus” dhe “disease” (sëmundje) dhe numri 19 u vendos për vitin 2019 kur u shfaq.
Shkencëtarët nga e gjithë bota po takohen në Gjenevë për të diskutuar në lidhje me mënyrat për të luftuar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Adhanom Ghebreyesus tha se ekziston ende një shans për të përmirësuar gjendjen e shkaktuar nga sëmundja. Ai vlerësoi masat e marra nga autoritetet kineze, për të cilat tha se “po ngadalësojnë përhapjen në pjesën tjetër të botës”.
VERITAS.COM.AL/