Serbia nuk e ka mbështetur deklaratën e përbashkët të Bashkimit Evropian lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navaly, thanë burimet diplomatike në Bruksel.
Këtë deklaratë, në emër të BE-së e ka paraqitur përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Radio Evropa e Lirë mëson se vendet që nuk janë anëtare të BE-së kanë pasur afat deri më 28 shkurt që t’i bashkohen kësaj deklarate. Deri në atë datë, Serbia nuk është shprehur për këtë temë dhe kjo nënkupton që nuk e ka mbështetur të njëjtën. Me deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalynt nuk është pajtuar as Turqia.
Burimet në Bruksel konfirmuan se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbështetën deklaratën e bllokut evropian, përmes së cilës presidenti rus, Vladimir Putin, mbahet direkt përgjegjës për vdekjen e Kritikut të Kremlinit.
Serbia po ashtu nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.
Familja e tij, bashkëpunëtorët dhe shumë qeveri perëndimore e kanë fajësuar drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e Navalnyt. (REL)