Në ditën e tretë të përballjeve në Partinë Demokratike, demokratët vijojnë të kërkojnë largimin e Lulzim Basha nga drejtimi i partisë, duke ia faturuar atij përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, ka kërkuar edhe njëherë sot dorëheqjen e kreut të PD-së, Lulzim Bashës duke rikonfirmuar zyrtarisht edhe kandidaturën e tij. Në një deklaratë për mediat, Kadilli tha se Basha ka shteruar dhe nuk jep më opsion për të ardhmen.
“Është problemi i Bashës nëse shqiptarët zgjedhin një thes mielli para tij”, tha Kadilli duke shtuar se kryedemokratin e ka mbështetur me vetëmohim, por që tashmë ai duhet të tërhiqet, pasi nuk i çoi demokratët drejt fitores.
Kadilli hodhi akuza se, edhe pse anëtar i Kryesisë së PD, nuk u lejua që konferencën e tij ta mbante në ambientet e selisë, duke thënë se “barrikada” para portës së PD është e tepërt.
Ndërkohë, ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi, i cili tashmë prej ditësh po proteston para selisë blu, tha se ato do të mbledhin disa firma për të kërkuar shkarkimin e Bashës. Elezi tha se ato duhet të hapin një proces zgjedhor brenda PD-së në mënyrë që të zgjidhjet kreu i ri.
‘Jemi detyruar që për shkak të festave do të ndërpresim. Nëse PD merr rrugën e LDK-së dhe përfundon me 10% është dëm të shqiptarëve. Fakti që Lulzim Basha duhet të tërhiqet të hapet procesi zgjedhor dhe në garë të fitojë ai që e meriton. Do të mbledhim firma për të treguar revoltën tonë. Do të bëjmë takime në rrethe për të mbledhur firma për të treguar se duhet shkarkuar Basha’, tha Elezi.
Basha do të mbledhë ditën e sotme drejtuesit politik në selinë blu.
Situata brenda PD-së nuk është shumë e qetë që pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, që pasohet nga disa humbje të tjera të kësaj force politike nën drejtimin e Lulzim Bashës. Për këtë arsye, një pjesë e tyre kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës që e bëjnë përgjegjës kryesor për humbjen. Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj dhe Endrit Hoxha përmes një deklarate janë shprehur se Lulzim Basha ka dëmtuar opozitarizmin në vend duke e lënë atë në dorën e Ramës. I pari që e kërkoi dorëheqjen e Bashës ishte anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, më pas ish presidenti Bujar Nishani dhe Arben Ristani duke u pasuar nga një numër shumë i madh demokratësh të tjerë.