Kryeministri Edi Rama bëri bilancin e sezonit turistik veror, të cilin e cilësoi si më i mbari ndonjëherë, jo vetëm nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaja, por edhe sa i takon pastërtisë e shërbimeve publike. Në një takim ku ishin të pranishëm, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, si dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, kreu i qeverisë bëri me dije se tashmë ka filluar puna përgatitore për sezonin e ardhshëm, me ambicien për më shumë e më mirë.
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek argëtimi për fëmijët gjatë sezonit turistik, ku tha se nuk do të jepen më leje për fshatrat turistike, që nuk ofrojnë hapësira argëtimi për fëmijë dhe ky kriter do të shtohet dhe për hotelet. Sa i takon zhvillimit të turizmit, kreu i qeverisë u ndal edhe tek portet turistike në vend, ku tha se do të sjellin kategori turistësh që lënë varkat dhe konsumojnë në hotele e restorante. Sipas tij, kjo sjell rritje pagash dhe zhvillim ekonomik për vendin. Rama përsëriti thirrjen për të rinjtë që mendojnë emigrimin drejt Britanisë dhe paguajnë deri në 30 mijë paund për të ikur drejt Anglisë. Rama bëri thirrje që ato të investojnë në agroturizëm se do të kenë më shumë të ardhura.