Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Anadolu”, duke cituar ministren serbe të Energjisë dhe zëvendës kryeministren serbe, Zorana Mihajloviç.
Zyrtarja serbe e bëri njoftimin në Tiranë, ku po merr pjesë në nismën “Open Balkan”, e cila mbështet strategjitë e përbashkëta ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Mihajloviç u shpreh se siguria energjetike e rajonit në situata krize kërkon solidaritet, lidhje dhe angazhim bashkëpunues në projektet strategjike.
“Të gjithë ne në rajon jemi nën presion të madh për të siguruar që gjithçka të jetë gati për dimër. Megjithatë, është e rëndësishme që, përveç zgjidhjes së problemeve aktuale të furnizimit, të diskutojmë edhe projektet strategjike dhe investimet e mundshme të përbashkëta, të cilat do të bëjnë që i gjithë rajoni të jetë më i qëndrueshëm energjetik”, shpjegoi ajo.
Sipas saj, propozimi i Serbisë ishte formimi i një grupi të përbashkët pune prej tre vendeve.
Ky i fundit, do të merret me zgjidhjen e problemeve energjetike këtë dimër, si dhe bashkëpunimin e mundshëm për projekte të rëndësishme strategjike.
“Pres që nga java e ardhshme të fillojmë punën në kuadër të grupit të punës dhe të paraqesim propozime për investime të përbashkëta te presidentët dhe kryeministrat e vendeve tona, qofshin ato për termocentrale diellore, termocentrale me erë, balancim të përbashkët, lidhjet me tregun e gazit, apo ndoshta edhe depot nëntokësore të gazit”, deklaroi Mihajloviç.
Në fillim të qershorit, tre vendet mbajtën një takim në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me miratimin e tre memorandumeve mirëkuptimi dhe një marrëveshjeje.
Kosova është e vetmja nga gjashtë qeveritë e Ballkanit Perëndimor që ka refuzuar t’i bashkohet nismës për Ballkanin e Hapur.
Nisma është një zonë ekonomike dhe politike e tre shteteve ballkanike: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Ajo synon të ofrojë mundësi më të mëdha tregtare dhe shkëmbimi studentësh për një popullsi totale prej 12 milionë banorësh, si dhe të inkurajojë integrimin në BE të vendeve anëtare. /Albanianpost.com