Ndërsa kanë mbetur edhe pak nga zgjedhjet e 14 Majit, ambasada amerikane ka dalë me një mesazh për partitë politike. Ambasada kërkon nga partitë që t’i zhvillojnë aktivitetet zgjedhore në përputhje me ligjin dhe standartet ndërkombëtare ndërsa shton se duhet të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Reagimi i ambasadës amerikane
Pas 50 ditësh, më 14 maj, Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje vendore mbarëkombëtare. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve të sigurohen që aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.
Pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, raporti i ODIHR-it përshkruan fushat ku është bërë përparim i vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Në veçanti, pati raportime të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë, partive dhe institucioneve shtetërore që të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it.
Ashtu siç ambasadorja Kim diskutoi kohët e fundit me drejtuesit e partive, partitë politike duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente. Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare.
Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të fortë. Ne nxisim të gjithë drejtuesit dhe institucionet që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe të sigurojnë që Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj demokratike