SHBA dhe vendet e tjera perëndimore po shqyrtojnë përjashtimin e Rusisë nga G20.

 Reuters raporton se Polonia iu kërkoi zyrtarëve amerikanë që të zëvendësonte Rusinë në grup dhe se ata morën një “përgjigje pozitive”, raporton BBC.

G20 është një grupim i ekonomive më të mëdha në botë, i cili synon të koordinojë veprimet për çështjet që prekin ekonominë globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe zhvillimin.

Një shtytje e tillë do t’i shtonte sanksionet ekzistuese ekonomike kundër Rusisë nga Perëndimi. Por ka të ngjarë të vihet veto edhe nga vende të tjera kyçe të G20-s, përfshirë Kinën, Indinë dhe Arabinë Saudite.

Si rezultat, disa parashikojnë se aleatët perëndimorë të G7 mund të bojkotojnë takimet e G20 këtë vit – diçka për të cilën Indonezia, kryesuesja aktuale e klubit, thuhet se është paralajmëruar. Xhakarta ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.

Kur u pyet këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha: “Ne besojmë se nuk mund të jetë biznes si zakonisht për Rusinë në institucionet ndërkombëtare dhe në komunitetin ndërkombëtar.”

Rusia gjithashtu ka qenë pjesë e G7 – e cila u zgjerua në G8 në vitet 2000 – për të akomoduar Moskën në kohë më miqësore. Por u përjashtua pasi aneksoi Krimenë në 2014.