Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian përshëndetën dhe përgëzuan prokurorët, të cilët mëngjesin e kësaj të enjteje u betuan në Presidencë si anëtarë të SPAK, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një deklaratë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë e cilëson betimin e 8 prokurorëve si një hap të rëndësishëm në themelimin ne kësaj strukture. Prej ditës së sotme, vlerëson Ambasada e SHBA, “Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm”.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luiggi Soreca në një postim në Twitter, shkruan se ky është një hap i rëndësishëm në implementimin e Reformës në Drejtësi.
“Mirëpresim betimin e sotëm të 8 prokurorëve të SPAK përpara Presidentit. Tanimë ata janë gati për të nisur punën. Një tjetër hap i rëndësishëm për implementimin e Reformës në Drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioriteti kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, shkruan ambasadori Soreca.
Veritas.com.al/