Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e dorëzimit të pajisjeve që do shërbejnë për kontrollin dhe mbikëqyrjen në pikat e kalimit kufirit kufitar.

Gjatë ceremonisë me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të pandemisë COVID-19, Drejtor Veliu dhe Yuri Kim kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të SHBA-së. Pajisjet bashkëkohore që i janë vënë në dispozicion Policisë shqiptare janë vijim i mbështetjes së vazhdueshme nga Programi EXBS.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë znj. Yuri Kim është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe se pajisjet e dhuruara për Policinë e Shtetit synojnë që të rrisin rezultatet e Policisë së Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimeve ndërkufitare.

Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar përfaqësuesit e EXBS dhe ambasadoren e SHBA-së, për dhurimin e pajisjeve me vlerë 108.243 US $ dhe është shprehur se falë mbështetjes së vazhdueshme logjistike nga Programi EXBS, Policia Kufitare disponon sot pajisje bashkëkohore, të cilat përdoren gjatë kontrollit në Pikat e Kalimit të Kufirit, kryesisht për kontrollin e kamionëve dhe autobusëve, për detektimin e lëndëve radioaktive, skaner portativ me rreze X, si dhe për mbikëqyrjen e kufirit si kamera termike, dylbi dite dhe nate, me rreze të gjatë dhe kamera SMARTDEC.

Në përfundim të ceremonisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Eduart Merkaj ka shpjeguar për të pranishmit mënyrën e funksionimit të pajisjeve të reja dhe rëndësinë e tyre për të rritur më tej efikasitetin e punës së shërbimeve të Policisë Kufitare.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë ceremonisë së dorëzimit të donacionit nga Programi i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara, për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë Kufitare (EXBS).

E nderuar Shkëlqesi ambasadore Yuri Kim,
I nderuar z. Tobei Arai,
Të nderuar përfaqësues të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare (EXBS),
Të nderuar kolegë,

Ndihem i privilegjuar pasi organizata që unë drejtoj ka vëmendjen, vlerësimin dhe përkrahjen e vazhdueshme nga agjencitë ligjzbatuese partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo i dedikohet punës serioze, përkushtimit, profesionalizmit dhe vendosmërisë së strukturave të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimit në përgjithësi.

Nuk është hera e parë që strukturat e Policisë së Shtetit mbështeten me logjistikë, trajnime e asistencë nga partnerët tanë, por donacioni i sotëm ka një vlerë të shumëfishtë, pasi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse ndaj trafikut të lëndëve narkotike, trafiqeve të paligjshme dhe krimit ndërkufitar.

Kontributi i ri i dhënë nga Programi i Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare të Shteteve të Bashkuara konsiston në pajisje të kontrollit kufitar në vijën e dytë dhe të mbikëqyrjes së kufirit, konkretisht në:
– Dy sete që përmbajnë videoskope dhe buster (pajisje për kontrollin e dendësisë);
– Pesë sete të pajisjeve për kontrollet në Pikat e Kalimit Kufitar;
– Si dhe videoskop e pajisje për mbikëqyrjen e kufirit, si kamera termike, dylbi nate elektrike dore profesional, me vlerën totale 108.243 US $.

Falë mbështetjes së vazhdueshme logjistike nga ky Program (EXBS), Policia Kufitare disponon pajisje bashkëkohore, të cilat përdoren gjatë kontrollit në Pikat e Kalimit të Kufirit, kryesisht për kontrollin e kamionëve dhe autobusëve, për detektimin e lëndëve radioaktive, skaner portativ me rreze X, si dhe për mbikëqyrjen e kufirit si kamera termike, dylbi dite dhe nate, me rreze të gjatë dhe kamera SMARTDEC.

Përveç mbështetjes logjistike, EXBS ka qenë një partner shumë i rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, nëpërmjet trajnimeve të ndryshme të zhvilluara me ekspertë të agjencive të zbatimit të ligjit të SHBA-së.

Me koordinimin e EXBS është ngritur dhe funksionon Iniciativa e Kufirit Jugor (SBI – South Border Iniciative), me pjesëmarrjen e autoriteteve kufitare dhe doganore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Me fillimin e funksionimit të kësaj qendre janë zhvilluar 11 takime, ku autoritetet e vendeve pjesëmarrëse kanë diskutuar çështje të lidhura me sigurinë dhe kërcënimet kufitare. Në kuadër të kësaj iniciative, ndër të tjera shkëmbehet rregullisht informacion mujor për situatën e imigracionit të parregullt në vendet pjesëmarrëse.

E nderuar ambasadore,
Policia e Shtetit është vlerësuar në mënyrë periodike gjatë viteve të fundit nga partnerët tanë si profesionale dhe e besueshme. Së fundmi, nga anketimi i kryer me qytetarët nga Programi Suedez, Policia e Shtetit është renditur institucioni i parë më i besueshëm në vend. Ndërkohë, jemi të angazhuar dhe të vendosur për të luftuar pa kompromis dhe përkrah partnerëve dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Ky angazhim është i përkthyer në dhjetëra operacione ndërkombëtare dhe kombëtare për goditjen dhe shkatërrimin e grupeve kriminale, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, për trafikimin dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore dhe migrantëve nga vendet e treta dhe për goditjen e krimeve ndërkufitare. Qëllimi ynë i vazhdueshëm ka qenë dhe mbetet mbi të gjitha konsolidimi i rendit dhe sigurisë dhe krijimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët. Me këtë rast, dëshiroj të nënvizoj se për vitin 2020 kemi numrin më të ulët të krimeve ndaj personit.

Tashmë jemi përpara procesit për zgjedhje të përgjithshme. Duke përfituar nga ky moment dua t’Ju siguroj dhe garantoj Juve e nderuar ambasadore, të gjithë partnerët dhe mbarë qytetarët e Shqipërisë se Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do jetë e orientuar vetëm në zbatimit të ligjit, me synimin për të përmirësuar më tej standardin pozitiv të arritur në zgjedhjet e mëparshme.

Duke përfunduar, më lejoni edhe njëherë t’Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin, si dhe t’Ju siguroj se këto pajisje të dhuruara sot do të rrisin akoma më tej efektivitetin dhe rezultatet pozitive të strukturave të Policisë Kufitare.